Ambasada amerikane thirri një nga një gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar shqiptarë dhe u komunikoi përfshirjen e tyre në listën e zezë, Fatmira Hajdarin e thirrën mëngjesin e 26 janarit 2017. Edi Rama dhe Lulzim Basha, vijojnë lidhjet me njerëzit e listës së zezë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten i vetmi aleat në krah të shqiptarëve sa i takon luftës kundër perandorisë së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, me në krye kupolën politike të Tiranës.
Nuk është rastësi që njerëzit të cilët amerikanët i kanë futur në listën e zezë si ikona të krimit dhe korrupsionit, që nga Tom Doshi, Adriatik Llalla, Vangjush Dako etj., kanë qenë dhe mbeten bashkëpunëtorët kryesorë se Edi Ramës, Ilir Metës, Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit.
Pesëshja e politikës tentoi të shpëtonte nga shkarkimi edhe Fatmira Hajdarin, një grua simbol e pastrimit të parave dhe aferave në drejtësi. Rama, Meta dhe Basha, përmes strukturave të tyre bënë dy raporte pozitive për Fatmira Hajdarin, sa i takon figurës dhe pasurive.
Të dy raportet u përmbysën më pas nga Komisioni i Vetingut, falë njerëzve të SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Nga hetimet doli se Fatmira Hajdari nuk justifikonte një pasuri me vlerë 1 milionë USD si dhe kishte fshehur faktin se amerikanët i kishin hequr vizën si e korruptuar.
Po le të ndalemi sot pikërisht tek heqja e vizës amerikane, si një mekanizëm që përdor Ambasada ndaj gjyqtarëve dhe politikanëve tanë të korruptuar. Mëngjesin e 26 janarit 2017, Fatmira Hajdarin e kanë thirrur në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ku i kanë komunikuar vendimin për t’i anuluar vizën amerikane, ndërsa i kanë kërkuar që të dorëzojë pasaportën.
Një ditë më pas, Fatmira Hajdari ka plotësuar dhe dorëzuar formularin për pastërtinë e figurës së saj, pranë Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, duke e fshehur faktin e heqjes së vizës amerikane.
DSIK ka përgatitur një raport për Fatmira Hajdarin, duke e dorëzuar në Komisionin e Vetingut, me shënimin se e kalon testin e pastërtisë së figurës. Komisioni i Vetingut dhe ONM kanë hetuar, duke zbuluar se gjyqtarja kishte fshehur heqjen e vizës amerikane. Në këtë rrethana, komisioni ka vënë në lëvizje DSIK, drejtori e cila ka hartuar një raport të dytë, tashmë negativ për Fatmira Hajdarin, duke thënë se kjo e fundit kishte mashtruar me plotësimin e formularit të pastërtisë së figurës.
Kur u paraqit në Komisionin e Vetingut, Fatmira Hajdari tha se nuk e dinte se ia kishin hequr vizën, por me pas tha se vizën ia kishin hequr deri kur të kalonte Vetingun dhe jo si e korruptuar. Por, në raportin e DSIK thuhet ndryshe. Në raport thuhet se “Shqyrtimi i aplikimit për vizë të SHBA-ve shoqërohet me verifikim të besueshëm dhe profesional të aplikantit. Marrja e vizës së SHBA kuptohet si standard për pastërtinë e figurës ku aplikanti i nënshtrohet një procedure të imtësishme dhe të besueshme Vetingu. Ndërkohë që refuzimi/revokimi i vizës mund të bëhet për disa arsye, sjellim në vëmendje se Ambasada e SHBA-së ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion për refuzimin/revokimin e vizave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Kjo praktikë është ndjekur nga SHBA për promovimin e luftës kundër korrupsionit, anembanë botës.
Revokimi i vizës përkon në periudhë me deklaratën e Ambasadës së SHBA-së”.
Pra është e qartë se Fatmira Hajdarit nuk ia kanë hequr vizën amerikane për shkak të Vetingut, por si e korruptuar. Po të ishte ndryshe, do t’ua kishin hequr vizën amerikane 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve që në vitin 2017 deri kur të kalonin Vetingun. Por, nuk është ashtu. Një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve udhëtojnë dhe madje trajnohen në SHBA, edhe pse ende nuk e kishin kaluar Vetingun.
Në vendimin e shkarkimit të gjyqtares thuhet se “Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, znj. Fatmira Hajdari, nuk ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës, pasi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e figurës, duke mos plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi, si dhe duke fshehur fakte e rrethana të ndodhura para deklarimit sipas ligjit të këtij formulari, në kushtet kur subjekti ka qenë në dijeni të këtij fakti”
Më i rëndë është fakti se ILDKP ka bërë një raport pozitiv për Fatmira Hajdarin, duke deklaruar se pasuria e saj është e rregullt dhe e ligjshme. Në raport thuhet se “Subjekti ka dorëzuar deklaratat e interesave private për vitet 2003 ‒ 2016 dhe nё datën 30.1.2017, referuar ligjit nr. 84/2016 ka dorëzuar deklaratën e pasurisë së rivlerësimit kalimtar, “Vetting”.
Në përfundim të veprimeve verifikuese të kryera nga ILDKPKI-ja, për secilën pasuri dhe të ardhur të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit dhe personave të lidhur, është konstatuar: deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin; ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; nuk ka kryer fshehje të pasurisë; nuk ka kryer deklarim të rremë; subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave”.
Nga hetimi doli se Fatmira Hajdari nuk justifikonte një pasuri me vlerë 1 milionë USD, sidomos pallatin tek Vilat Gjermane. Në alibitë e saj në përpjekje për të justifikuar pasurinë e krijuar me para të pista, gjyqtarja përfshiu edhe Ilir Metën, i cili kishte shkuar dhe kishte pirë një kafe në shtëpinë e saj, duke i bërë si dhuratë një kredi të butë, gjoja si e pastrehë. Me këto para, Famtmira ka blerë fillimisht një apartament dhe më pas një dyqan pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Fatmira Hajdari u shkarkua me bindje të plotë nga Komisioni i Vetingut, ndërsa dosja e saj ‘la pa mend’ vëzhguesin ndërkombëtar Theo Jacobs./Pamfleti