
Dmitry Medvedev, besniku i Vladimir Putin ka paralajmëruar një dimër të acartë për Europën. Frika më e madhe është ndërprerja e gazit dhe ai sot ka lëshuar silurin e radhës.
Duke renditur në kanalin e tij në Telegram 11 “mëkatet” e lidershipit ukrainas dhe Perëndimit, ish-presidenti i Rusisë dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit rus tha se Rusia nuk ka faj që “europianët budallenj janë mashtruar në mënyrë cinike nga amerikanët, të cilët i kanë detyruar të mbajnë në kurriz pasojat më të dhimbshme të sanksioneve dhe se “europianët do të ngrijnë për vdekje këtë dimër” .
Sipas Medvedev, Perëndimi është përgjegjës për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe humbjen e kursimeve të qytetarëve europianë, që arrijnë në miliarda dollarë, të investuara në ekonominë ruse. Po ashtu ai sulmoi ashpër Biden.
“Nuk është faji i Rusisë që amerikanët zgjodhën si president të një gjysh të çmendur, i cili, duke harruar detyrat e tij, po mbështet një vend tjetër më shumë se vendin e tij. Por populli ukrainas është në këtë pozicion sot për shkak të gabimeve të liderëve perëndimorë’, tha ai.