Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ditën e sotme ka treguar cilat janë problemet kryesore që sjell miratimi i nismës për amnistinë fiskale.
Sipas tij, ky draft nëse miratohet pa mbështetjen e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, krijon hapësira për pastrim parash, evazion fiskal dhe konkurencë të pandershme.
“Në lidhje me amnistinë fiskale ne e dimë që ka pasur një draft së fundmi që është futur në konsultim publik, këtë draft ne duam më tepër kohë për ta analizuar plotësisht, por opinioni për tani është që drafti ekzistues ka ndryshim nga të mëparshmet por nuk janë ndryshimet esenciale.
Problemi që kemi pasur ne me ligjin e amnistisë ka qenë në parimin kryesor, hapësirën e mundësinë që krijon për pastrim parash dhe evazion fiskal. Ky është problemi kryesore që ne kemi. Por nuk e kemi vetëm ne, e kanë edhe shumë partnerë ndërkombëtarë. Nëse ky ligj ka marrë aprovimin apo mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, struktura si FMN, BE, Moneyval atëherë ne do ishim mbështetës, se ato janë struktura kryesore që shikojnë detajet me rëndësi.
Nëse e kundërta është e vërtetë, problemet e shqetësimet tona vijojnë të jenë si më parë, e janë shumë serioze për këtë ligj. Problemi tjetër është konkurenca e pandershme, hapësirat që krijon ky ligj për konkurencën e pandershme”, tha kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Eno Jaco.
Dhoma Amerikane e Tregtisë gjithashtu ka ngritur alarmin për situatën e klimës së biznesit në Shqipëri.
Jaco ka kritikuar qeverinë dhe maxhorancën në Parlament dha ka thënë se duhet të miratohet një paketë antiryshfet për të frenuar korrupsionin në administratë.
“Propozojmë miratimin në Parlament të një paketë anti-korrupsion, kjo paketë ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në organet ligjvënëse që kanë karakter prapaveprues, propozojmë miratimin e ligjeve anti-rryshfet. Lidhur ngushtë me antikorrupsionin është reformimi i plotë i sistemit të prokurimeve publike, e këtu bashkohemi me rekomandimet e BE për prokurimet, por në radhë të parë duhet të ketë standarte për lidhjet e përfituesve me njëri tjetrin apo qoftë me vendimmarrësit e tenderave publike.
Në kushtet e Shqipërisë duhet të jemi sa më konservatorë kemi pasur shkelje të dukshme, raste korruptive, të jemi sa më konservatorë e jo liberalë për standartet e prokurimeve”, tha Jaço.
Ndërsa për ligjin e investimeve strategjike, Enio Jaço tha se në dijeninë e tij nuk ka kompani amerikane që kanë aplikuar për investime strategjike.
“Në lidhje me investimet strategjike, në informacionin që unë kam, nuk ka kompani amerikane që kanë aplikuar për të qenë investitor strategjik. Ndoshta ka, por unë nuk kam informacion të tillë.”, tha Jaço.