Politike 5 Korrik 2022, 16:52

Amnistia fiskale, Tabaku: Emigrantët po përdoren si fasadë për legalizimin e parave të pista

Shkruar nga Pamfleti
Amnistia fiskale, Tabaku: Emigrantët po përdoren si fasadë

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me diskutimin e draftit për amnistinë fiskale të cilin e ka quajtur si një vizion pabarazie nga ana e mazhorancës.

Tabaku u shpreh se drafti pavarësisht pretendimeve të qeverisë, nuk po bëhet për emigrantët por po bëhet për të korruptuarit, dhe për legalizimin e parave të fituara ilegalisht. Emigrantët sipas sajë thjesht po përdoren si fasadë.

Qeveria po pretendon se drafti i Amnistisë Fiskale është një projektligj në shërbim të emigratëve dhe shqiptarëve. Pretendimi i anëtarëve të qeverisë është se me këtë draft nuk fitojnë amnisti të korruptuarit por emigrantët. Sa të besueshëm janë ato? Pak, për të mos thënë aspak. Fatkeqësisht emigrantët po përdoren si fasadë për të mbuluar qëllimin e vërtetë të qeverisë, legalizimin e parave të fituara pandershmërisht jo nga emigrantët por nga personat që kanë shkelur ligjet”, shkruan Tabaku.

Ajo tha gjithashtu se pabarazi të tilla e kanë zbrazur vendin nga talentet dhe njerëzit e ndershëm, pasi sipas sajë një njeri i cili punon ndershmërisht taksohet 23%, ndërsa të pandershmit do të taksohen vetëm 7%. Ajo shtoi se shqetësimi i BE është i saktë pasi Shqipëria po shndërrohet në parajsën e kriminelëve të huaj dhe shqiptarë për pastrimin e parave.

Pabarazi të tilla kanë shndërruar Shqipërinë në parajsën e pandershmërisë ndërsa e kanë shkretuar atë nga talenti dhe aftësia për të gjeneruar ide të reja në shërbim të kapitalit dhe ekonomisë.
Shqetësimi im është se shqiptari që punon për të prodhuar ide dhe risi teknologjike taksohet deri në 23% ndërsa ata që punojnë pandershmërisht taksohen 7% dhe amnistohen.
Shqetësimi i BE është edhe më i saktë, përderisa Shqipëria ka rrezik të kthehet jo vetëm parajsë e të dënuarve shqiptarë por edhe parajsa e të huajve që kërkojnë amnisti fiskale dhe penale. Reagimi Komisionit Europian vetëm sa përforcon frikën se ky projektligj do të amnistojë jo mundin e emigranteve por pandershmërinë”, tha ajo.

Tabaku e mbylli postimin e sajë duke thënë se Shqipëria ka nevojë për ide, risi, investime të mëdha dhe zhvillim të ekonomisë, jo për ligje që sjellin pabarazi.

“Ne kemi nevojë për ide, risi dhe zhvillim të ekonomisë pasi ajo do të gjenerojë kapital dhe para. Shqipëria ka nevojë për investime të forta dhe jo për ligje që promovojnë pandershmërinë dhe pabarazinë”, përfundoi Tabaku.

Politike #Tabku inceneratorët Reagim