Aktualitet 4 Mars 2019, 14:47

ANALIZA/’Ana e mirë e një precedenti të rrezikshëm, djegia e mandateve rrëzon çdo Kryeministër sulltan dhe detyron opoz

Shkruar nga Pamfleti
ANALIZA/’Ana e mirë e një precedenti të rrezikshëm,

ANALIZA/’Ana e mirë e një precedenti të rrezikshëm, djegia e mandateve rrëzon çdo Kryeministër sulltan dhe detyron opozitën që…’

Prej ditësh po i mëshohet rrezikshmërisë dhe precedentit, që paraqet e krijon djegia e mandateve nga opozita! Askush nuk po gënjen në këtë vlerësim. Precedenti të fut të dridhurat! Të shkakton të kruara dhe të pret oreksin! Të panjohura dhe mistere e rrethojnë atë vendim të rëndë e unik, si të tillë historik! Shumë nga rënkonjësit kanë hallin e qeverisë! Nuk kanë fuqi ta imagjinojnë ditën kur të ndezin televizorin dhe Edi Rama të mos jetë më Kryeministër! Sa e zymtë do të jetë ajo buzëmbrëmje pa gajretin, me të cilin ai i mban, pa qesëndirat, cimbisjet e zukamat, prej të cilave njerëzia paqtohet e zaliset në shpresë! Gri mund të shfaqet pamja pa ministreshat dhe hukamat e tyre zë qumësht, trashur me mjaltë! I hidhur vjen ai aksham kur ERTV, kjo trumbetë e “Rilindjes”, të fusë muzikë funebre në vend të kronikave plot me suksese ku bereqeti dhe selameti shtyhen për pak vend!

Të gjitha janë arsye të ligjshme e njerëzore! Përtej tyre, përsëri e përsëri, precedenti mbetet i rrezikshëm sepse çdo opozitë gjen një arsye – mbath këpucët dhe ikën me vrap nga Parlamenti! Por duhet thënë që këtë akt opozita nuk mund ta ndërmerrte një vit, dy a tri më parë! E kishte krejt të pamundur! Gjithë sa ka ndodhur, disa anë të mira i ka dhe ai meriton të përsëritet! Po kur? Ai duhet të rikthehet sa herë kriminelët bëhen një me politikën dhe pushtetin duke blerë vota, duke mbledhur karta identiteti ditën e zgjedhjeve, duke kërcënuar e shantazhuar! Precedenti i djegies së mandateve si mjet i fundit demokratik legjitimon vetveten në momentin kur republika shndërrohet në qendër të narkotrafikut, paratë e të cilit shndërrohen në fuqi të papërballueshme për vullnetin e lirë, logjikën, arsyen apo thagmën liberale të një shoqërie që beson te rrotacioni!

Kur vendi qeveriset keq, shumë keq, i vënë përfund nga triumfi i banalitetit dhe korrupsioni, ai mund të përvijohet në horizont si kujtesë se asgjë nuk është e përjetshme! Secilës prej opozitave të këtij vendi i lind e drejta që pasi e sheh se Shqipëria qeveriset nga një despot me harem, me familje, me taraf, me servilë fytyrëshollë e barkllastik, me klientë që marrin taksat tona në formë tenderash, le t’ia bëjë fora! I rëndë është precedenti, shumë i rëndë, por më të rënda janë arsyet që të çojnë drejt tij! Çdo Kryeministri mbase do t’i kujtohet që me opozitën, ke leje të bësh luftë politike, por jo ta poshtërosh, ta tallesh, ta kërcënosh me uzurpimin e sistemit të drejtësisë apo me institucione aspak garante e aspak të pavarura, të cilat shtrihen në postiqet e qeverisë si mace të bindura! Po ashtu, ky akt duhet t’i shërbejë vetë opozitës dhe politikës për të parë më thellë veten e saj!

Nga pikëpamja etike, deputetët që dorëzuan mandatet treguan dinjitet në raport me partitë dhe mbështetësit që i kanë votuar përballë një kauze madhore! Po kaq i munguan atij (dinjitetit) ata që u joshën nga tregu i Rrogozhinës! Por çdokush duhet ta kuptojë që nuk ia vleka edhe aq shumë të bësh çmos për një vend deputeti, të përpëlitesh për të, kur befas edhe mund ta lësh, të mbetesh si krapi në zall të Kirit, kësisoj, a ia vlen barra qiranë të barazosh kryetarin e partisë me Zotin apo Skënderbeun!

Është kohë e mirë për një reflektim kombëtar mbi ambiciet! Një thyerje kësodore me një Parlament gjysmak sjell në skenë domosdoshmërinë e rishkrimit të rregullave të reja kushtetuese e politike, të një sistemi të ri që të çlirojë partitë politike nga tirania e individit lider dhe pasojat qe prodhon ky fakt -vrasjen e dinjitetit e të profesionalizmit nëpërmjet sahanlëpirjes! Se një ditë, marrëveshje do këtë dhe është mirë që ajo të ndodhë para se Aldo Bumçi t’i ngjajë Lin Biaos, që udhëheq trupat kundër Çan Kai Shisë! Për kërshërinë e lexuesit mund të shtyhemi në krahasime që shkaktojnë gaz, p.sh. Eno Bozdo si gjenerali Xhap, Tritan Shehu si Kollokotroni, Nora Malaj si Nora e Kelmendit apo Orjola Pampuri si Shote Galica etj., por këto janë të qeshura të hidhura në një kundërvënie mes shqiptarësh të tradhtuar nga politika dhe Kryeministri i tyre, i cili di ta korruptojë demokracinë si askush tjetër, duke ia ruajtur formën! Së pari, e ka bërë këtë me PS-në, përfaqësimi i së cilës në masë të madhe është thyerje e çdo sinori intelektual e karriere politike.

Këto dite plot hamendësime e kundërshti e kanë vënë opozitën në provën e saj të mbijetesës si kurrë më parë! Ajo ka bërë gjënë e duhur, por ende i mungon vetëdija se beteja mund të jetë më e gjatë se parashikimi! Entuziazmi i ngjan atij të fillimit të Luftës së Parë Botërore! Ndaj, ajo nuk e ka luksin që t’u flasë shqiptarëve nga ekrani me ato personazhe të dekompozuara politikisht e po kaq qesharakë në irruencën e tyre prej kukullash të kurdisura, prej të cilave ra nga pushteti! Basha nga Lezha tha se kjo kohë do të shfrytëzohet për t’u folur qytetarëve me program dhe ide! Bashës i duhet një gjë e re dhe e vërtetë! Ta gjejë!

E ka jetike, ta bëjë! Deri tani nuk ka qenë bindës në masën e duhur! Djegia e mandateve i dha diçka që Bashës i ka munguar gjatë 5 viteve! Koherencën e përputhjes së fjalëve me veprimin nëpërmjet një gjesti të fortë, të vështirë, por edhe dinjitoz. E vërtetë që në PD ka disa ndryshime pozitive në dy a tri poste kyçe si sekretari i përgjithshëm a ndonjë tjetër, por kaq nuk mjafton për të thënë që PD ka realizuar hapjen dhe transformimin e madh! Zëri i intelektualëve është ende i paragjykuar dhe shumë i dobët ne atë formacion! Në fund, edhe me qeveri tranzitore do të votohet e për t’i marrë ato të bekuara vota, qytetarët duhet të të besojnë, përveçse ta hedhin atë të uruar në liri të plotë pa shitblerje a frikë! Radikalizmi shërben si mbulesë për momentin, por jo përgjithmonë.

Precedenti i paska, pra, disa anë të mira! Le të rrijë ai si shpatë mbi kryet e çdo Kryeministri, që shndërrohet në sulltan siç ia lyp mideja kësaj toke! Opozita ta përdorë si kujtesë sa herë të matet me ardhë në pushtet! Me çfarë idesh, programi dhe njerëzish. Kjo opozitë përdori precedentin e rrezikshëm, por po kaq ka mundësi të ndërtojë nesër precedentin tjetër, atë që e përjashton të parin nëpërmjet qeverisjes së mirë! Ëndërr e bukur!/Panorama

Aktualitet agron gjekmarkaj demokracia djegia e mandateve