Bota 1 Mars 2022, 15:26

Analiza e “The Times”: Miliarderët rusë kanë humbur 126 mln dollarë, ja kur do ta shesin Putin

Shkruar nga Pamfleti
Analiza e “The Times”: Miliarderët rusë kanë humbur

116 miliarderët e Rusisë kanë humbur më shumë se 126 miliardë dollarë që kur Parlamenti i bëri thirrje Putinit që të njohë dy rajone separatiste të mbështetura nga Kremlini në Ukrainën lindore më 16 shkurt, raportoi Forbes. Megjithatë, pavarësisht hemorragjisë së parave, elita e biznesit po ashtu nuk është në pozicion për të sfiduar Putinin.

Marc Bennetts/ “The Times”

Teksa makineria e luftës e Vladimir Putin shkatërron jetë në Ukrainë dhe sanksionet e zhytin ekonominë ruse, kundërshtarët po kërkojnë shenja se njerëzit e zakonshëm ose elita mund të jenë gati të kthehen kundër presidentit.

Disa rusë, përfshirë ata që kanë shumë për të humbur, kanë folur hapur. Ka pasur protesta kundër luftës në të gjithë Rusinë çdo mbrëmje që kur Putin filloi pushtimin e tij javën e kaluar, me rreth 6,000 arrestime. Megjithatë, analistët thonë se shenjat e mospajtimit nuk ka gjasa të shqetësojnë Kremlinin. Protestat nuk janë të mëdha dhe nuk ka pothuajse asnjë shans që rrethi i brendshëm i Putinit – shefat e ushtrisë, sigurisë dhe shërbimit të spiunazhit që e kanë njohur presidentin për dekada – të komplotojnë për ta hequr atë.

116 miliarderët e Rusisë kanë humbur më shumë se 126 miliardë dollarë që kur Parlamenti i bëri thirrje Putinit që të njohë dy rajone separatiste të mbështetura nga Kremlini në Ukrainën lindore më 16 shkurt, raportoi Forbes. Megjithatë, pavarësisht hemorragjisë së parave, elita e biznesit po ashtu nuk është në pozicion për të sfiduar Putinin.

“Elita është në tronditje absolute. Nuk ishte në asnjë nga planet e tyre që bizneset e tyre të zhyten dhe të përfundonin si të pandehur të mundshëm në Hagë [Gjykata Penale Ndërkombëtare]”, tha Abbas Gallyamov, një shkrues fjalimesh, i kthyer në analist politik. “Por do të ishte gabim të pritej ndonjë lëvizje prej tyre. Elita ka pasur gjithmonë frikë nga Putini, por tani kanë edhe më shumë frikë prej tij. Nëse ai ishte gati të bombardonte Kievin, ai mund t’i burgoste – dhe jo vetëm kaq. Ata të gjithë e dinë për qelitë e torturës. Nuk ka mbetur asnjë hero.”

Oleg Deripaska, Mikhail Fridman dhe Oleg Tinkov, tre miliarderë rusë, kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit. Fridman, një themelues i Alfa Bank, banka më e madhe private e Rusisë, i tha stafit se “lufta nuk mund të jetë kurrë zgjidhja” ndërsa Deripaska, një manjat i metaleve, gjithashtu bëri thirrje për paqe.

Tinkov, themeluesi i bankës Tinkoff, tha: “Njerëz të pafajshëm po vdesin në Ukrainë, çdo ditë. Kjo është e pamendueshme dhe e papranueshme!”.

Kreu i një delegacioni rus në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për klimën në Paris kërkoi falje për pushtimin. Oleg Anisimov u tha delegatëve të tjerë të dielën se ai nuk arriti të shihte “asnjë justifikim për sulmin ndaj Ukrainës”.

Më shumë se një milion njerëz kanë nënshkruar një peticion kundër luftës, ndërsa personazhe të famshëm, gazetarë dhe mësues kanë shprehur zemërim për fushatën në Ukrainë, një vend ku shumë rusë kanë miq ose familje. “Jeta është kaq e brishtë dhe e paçmuar, është një dhuratë nga Zoti dhe askush nuk ka të drejtë ta heqë atë”, tha Innesa Rakhmanova, një artiste që u arrestua në një protestë në Moskë të dielën.

Për miliarderët, të folurit kundër Putinit mund të jetë një përpjekje e fundit për të siguruar që ata të mund të ruajnë asetet e tyre në Perëndim, duke përfshirë jahtet luksoze dhe pronat. Shumë nga fëmijët e tyre studiojnë ose jetojnë në Amerikë ose Evropë.

“Oligarkët më të mëdhenj të Rusisë e kanë kuptuar në mënyrë të përkryer se do të duhet të distancohen në mënyrë eksplicite nga sipërmarrjet e luftës të Putinit nëse duan të kenë një të ardhme në Perëndim ose të rikthejnë pozicionet e tyre”, tha Elisabeth Schimpfössl, autorja e librit Rusët e pasur. “Ata janë të dëshpëruar që gjërat të ndryshojnë sa më shumë që të jetë e mundur.”

Lufta erdhi si një tronditje jo vetëm për elitën e biznesit, por edhe për analistët politikë, detyra e të cilëve është të këshillojnë qeverinë. Andrey Kortunov, kreu i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, i cili është afër ministrisë së jashtme, tha se ai e kishte këshilluar Moskën kundër një pushtimi për të detyruar NATO-n të tërhiqej nga kufijtë e Rusisë. “Unë nuk besoja se kjo luftë ishte e mundur”, tha ai. “Por ata vendosën se një operacion ushtarak ishte një formë e pakëndshme, por më e përshtatshme e reagimit”.

Është e vështirë të mos kuptohet në Moskë se vendi po tërhiqet përsëri pas një perde të hekurt. Mes ndalimeve të linjave ajrore, madje edhe udhëtimi për në Moskë është një makth logjistik. Përveç kufizimeve të vendosura gjatë pandemisë, Rusia nuk ka qenë aq e shkëputur nga Perëndimi që nga epoka sovjetike.

Ndërsa armiqësitë përshkallëzohen, Shtetet e Bashkuara këshilluan dje qytetarët e saj të largoheshin nga Rusia. Moska gjithashtu ka kufizuar Facebook dhe Twitter, duke përkeqësuar ndjenjën e thellimit të izolimit. “Ndoshta është koha për të bërë plane për t’u larguar”, tha një protestues, i cili kërkoi të mos identifikohej. “Si mund t’i rrisim fëmijët tanë këtu tani?”, vijoi ai.

Pavarësisht protestave, ka edhe mbështetje për luftën. “Nëse nuk do të kishim sulmuar, Ukraina do të kishte hedhur bomba bërthamore mbi ne”, tha Tamara, një pensioniste, duke i bërë jehonë propagandës së medias shtetërore.

Stacionet televizive të drejtuara nga Kremlini nuk kanë shfaqur pamjet e raketave ruse që bien mbi qytetet e Ukrainës. Ata gjithashtu këmbëngulin se nuk ka pasur viktima civile.

Gallyamov tha se Putini do të ishte në rrezik vetëm nëse elita e ndjente se ai kishte humbur mbështetjen e shërbimeve të sigurisë dhe do të shpërthenin protesta të mëdha. “Nëse ata mendojnë se ai është dobësuar mjaftueshëm, do ta tradhtojnë, nëse mendojnë se mund ta bëjnë këtë pa rrezik. Pa dyshim. Ata nuk janë më besnikë. Por kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë në vitet e ardhshme”, tha ai.

Bota #Putin #Rusi #Miliardere