Miratimi i një kushtetute krejtësisht të re nuk duhet të përjashtohet si rezultat i progresit në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE. Kjo është arsyeja pse zyrtarët e BE-së e mirëpritën rezultatin e referendumit për ndryshimet në kushtetutën e Serbisë.
Ekskluzive për ‘Pamfleti’, Dušan Janjić
Serbia është një shtet në të cilin janë partitë politike dhe grupet joformale ato që marrin vendimet më të rëndësishme, dhe jo vendimmarrësit ligjorë të brendshëm. Këtë gjë e ka treguar mënyra se si u miratua Kushtetuta e Serbisë në vitin 2006. Për më tepër, procesi i përshtatjes me rregullat e reja për ndryshimin e kushtetutës ekzistuese, duke përfshirë thirrjen për referendum që u mbajt më 16 janar 2022, ndodhi pa debat publik demokratik.
Që nga koha e kushtetutës së Millosheviçit në vitin 1990, e deri tek amendamentet kushtetuese të Vuçiçit të konfirmuara në një referendum të mbajtur javën e kaluar, përkushtimi ideologjik dhe vlerësimi i liderit të shtetit dhe partisë në pushtet kanë pasur përparësi. Prandaj, teksti i kushtetutës, në vend që të shprehë nevoja dhe interesa realiste, është kthyer në një instrument manipulimi politik që nuk është i realizueshëm në jetën juridike. Shumë norma kushtetuese mbeten një “germë e vdekur në letër.” Shembulli më i mirë për këtë është përcaktimi kushtetues i statusit të Kosovës brenda Serbisë (Preambula, Pjesa 2 dhe Neni 82). E njëjta gjë vlen edhe për premtimet e mëdha për të drejtat dhe liritë e njeriut, duke përfshirë të drejtën për organizim dhe veprim politik, të cilat ose janë të kufizuara me ligje dhe akte nënligjore, ose nuk ofrohet asnjë garanci për realizimin e tyre. Pjesa e kushtetutës që lidhet me organizimin territorial të Serbisë (Nenet 176-193) nuk përmend rajonizimin apo rajonet. Megjithëkëtë, Qeveria e Serbisë, përmes pazareve ndërpartiake brenda koalicionit qeverisës, miratoi një dekret për të ashtuquajturat rajone statistikore, ku parashihen pesë rajone plus Kosovën. Në realitet, ndonjëherë në kundërshtim me normat kushtetuese, ndodh një “rrëshqitje” e regjimit presidencial. Në raste të tilla, Presidenti i Republikës është në të njëjtën kohë president i partnerit kryesor të koalicionit, mbajtësi formal i dialogut ndërpartiak në të cilin palët përfaqësojnë pikëpamjet e presidentëve të tyre. Prandaj, nuk është çudi që kushtetuta parashikon që Kuvendi Kombëtar t’ia dorëzojë për herë të dytë ligjin e miratuar Presidentit të Republikës, për nënshkrim. Presidenti i Republikës, pra, është në gjendje të marrë vendimet më të rëndësishme, siç janë: vendimi për statusin e Kosovës, vendimet për politikën e sigurisë dhe mbrojtjes, vendimet për investimet në sektorin e energjisë dhe bujqësisë, etj. Presidenti merr gjithashtu pjesë në negociatat dhe vendimmarrjet për investime të veçanta kapitale.
Reforma kushtetuese në Serbi është e nevojshme për arsyet e mëposhtme:
- garancinë e pronës private, pronës shtetërore dhe pronës personale; ndarjen e qartë dhe efektive të pushteteve; qëndrimin real ndaj autonomisë së Vojvodinës; përcaktimin e rajoneve dhe formave të tjera institucionale të ushtrimit të së drejtës për vetëqeverisje; luftën efektive kundër korrupsionit dhe kundër lidhjeve mes krimit të organizuar dhe pushtetit politik; vendosjen e kontrollit publik efektiv të qeverisë; aksesine barabartë në të drejtat e garantuara të njeriut dhe të pakicave, etj.
Procesi i ndryshimit kushtetues kërkon një konsensus të vërtetë midis të gjithë aktorëve të rëndësishëm politikë që bien dakord për nevojën për reformë dhe miratim të kushtetutës së re. Propozimet për të ndryshuar, hequr ose shtuar formulimin ekzistues përmes amendamenteve, mund të përmirësojnë situatën, por nuk mund të kapërcejnë dobësinë kryesore – mungesën e legjitimitetit demokratik. Do të ishte më mirë të hartohej një tekst i ri për kushtetutën dhe të ndërmerreshin të gjitha zgjidhjet e mira kushtetuese nga teksti ekzistues. Por, problemi është konsensusi politik i cili nuk mund të arrihet mes partive të shumicës. Kjo është arsyeja pse politikanët zgjedhin të ecin në një “rrugë të mirë-përcaktuar”, pra të sigurojnë ndryshime përmes amendamenteve kushtetuese. Në këtë rast, ndryshimi i kushtetutës është një parakusht për procesin e pranimit të Serbisë në BE, i vendosur në kapitullin e negociatave të cilat kanë në fokus sundimin e ligjit. Një nga arsyet pse ndryshimet kushtetuese u zgjodhën si parakusht është fakti se kjo çështje tërheq më pak vëmendje në krahasim me çështjet e tjera, si ndarja e pushteteve, Kosova apo anëtarësimi në NATO. Ngritja e këtyre çështjeve është shtyrë për shkak të rrezikut të zgjimit të reagimeveanti-BE dhe anti-NATO. Në këto kushte, është e kuptueshme psedisa ditë para referendumit, vendet e Kuintit (SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe) dhe Bashkimi Evropian,thanë në një deklaratë të përbashkët se: “Referendumi i Serbisë më 16 janar për ndryshimet kushtetuese është një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të shtetit të së drejtës në vend. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.”
Në të njëjtën deklaratë thuhet më tej: “Me keqardhje theksojmë se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.
I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.”
Vetë Kosova nuk e dëgjoi thirrjen e shteteve të Kuintit. Kuvendi i saj, me propozim të kryeministrit, ka miratuar rezolutën që ndalon hapjen e qendrave të votimit për referendumin e Serbisë për ndryshimet kushtetuese në territorin e Kosovës. Grupi parlamentar i Listës Serbe, si një nga anëtarët e koalicionit, ishte kundër projekt-rezolutës dhe u largua nga seanca duke refuzuar pjesëmarrjen në votimin e një akti të tillë. Në rezolutë ndër të tjera thuhet se “Kuvendi i Republikës së Kosovës vë në dukje të drejtën e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë të Republikës së Kosovës për të ushtruar të drejtën e votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në këtë rast, të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë edhe shtetësi serbe e drejta e votës u garantohet përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.” Lista Serbe organizoi udhëtime për votuesit nga Kosova në qendrat e votimit në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Novi Pazar (Serbia Qendrore), si shprehje e mospajtimit politik me vendimin e Kuvendit të Kosovës.
Në ditën e referendumit, Goran Rakiç, lider i Listës Serbe dhe ministër në kabinetin e Kurtit, deklaroi se votimi “sot nuk ka qenë i mundur, por do të jetë i mundur më 3 prill në të gjitha zonat me shumicë serbe – në zgjedhjet presidenciale të Serbisë.” Të nesërmen, kryeministri Kurti i tha ministrit të tij dhe publikut se zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen në territorin e Kosovës më 3 prill 2022. Ky “ndërveprim i pazakontë” mes anëtarëve të së njëjtës qeveri tregon të dyja palët mbajnë një nivel të lartë polemikash politike dhe në këtë mënyrë fitojnë votuesit duke mbajtur një “ton të ashpër”, të paktën për momentin. Në realitet, është zbatuar strategjia “shumë zhurmë për asgjë.” Rakiç tha se: “Ne paralajmërojmë Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar se vendimi për ndalimin e referendumit do të sjellë pasoja të paparashikueshme që do të çojnë në reciprocitetine veriut të Kosovës dhe Metohisë ndaj Prishtinës në të gjitha fushat që Prishtina ua mohon serbëve.” Nënjë arsyetim të logjikshëm, ajo që lideri i “Listës Serbe” kishte parasysh kur përmendi “reciprocitetin”, është jashtëzakonisht e vështirë. Një gjë është e sigurt, në sheshin në veri të Mitrovicës u mbajt një shfaqje politike – referendumi ku u votua kundër “terrorit” dhe pro “paqes”. Dikush mund të argumentojë se kjo është një vazhdimësi e sagës së qeverisë së Kurtit, në të cilën episodi i parë ishte një provë “force” mbi barrikadat para zgjedhjeve në Kosovë. Episodi i dytë mund të titullohet: “Referendumi i serbëve të Kosovës”. Ka të ngjarë që në prill të këtij viti të ketë një episod të ri me titull: “Reciprociteti”. Në përputhje me rregullat demokratike, partneri i koalicionit, interesi i të cilit nuk respektohet, duhet të largohet nga koalicioni, duke shpallur kështu episodin e katërt me titull: “Shihemi në prill”. Megjithatë, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë dhe zgjedhjet në Serbi dhe qëKosovë të mbahen në të njëjtën kohë, pra në prill. Tani për tani, si autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës, ashtu edhe “bashkësia ndërkombëtare”duhet të mos rrezikojnë të mbajnë zgjedhje të reja në Kosovë. Fakti që në rrethanat aktuale është sakrifikuar dialogu i Brukselit dhe normalizimi i jetës në Kosovë e Serbi dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, do të ngrejë diskutime. Por nuk është e qartë se kur.
Amendamentet e miratuara nga votuesit në referendumin e 16 janarit ndryshojnë kushtetutën në pjesën që ka të bëjë me drejtësinë. Ndryshimet ndikojnë në zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve që qeveria thotë se do të reduktojë ndikimin politik. Sipas ndryshimeve, gjyqtarët dhe prokurorët do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli Shtetëror i Prokurorëve – të cilat janëorgane autonome dhe të pavarura. Para ndryshimeve kushtetuese, gjyqtarët dhe prokurorët zgjidheshin drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Kuvendi Kombëtar.
Trupi i ekspertëve të së drejtës kushtetuese të Këshillit të Evropës, Komisioni i Venecias, tha se shumica e rekomandimeve të tyre janë përmbushur, por këmbënguli për nevojën për të reduktuar rreziqet e politizimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit Shtetëror të Prokurorëve.
Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?” Përgjigjet e ofruara ishin “Po” dhe “Jo.”
Referendumi shënoi pjesëmarrje të ulët. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve raportoi një pjesëmarrje prej 30,65 për qind, nga të cilët 59,71 për qind e votuesve votuan “Po”, ndërsa 39,26 për qind e votuesve thanë “Jo” për amendamentet. Pjesëmarrja relativisht e ulët e votuesve u ndikua nga një valë e fortë e infektimit me koronavirus, e cila është raportuar në Serbi në tre javët e fundit. Më pas, me sa duket, nuk ka pasur ndonjë fushatë të fortë në periudhën para referendumit. Presidenti Vuçiç shpjegoi se autoritetet parashikonin një pjesëmarrje prej 25 për qind, duke shtuar se ai ishte i vetëdijshëm se disa anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe dhe anëtarët e familjes së tij do të votonin “Jo” në referendum.
Dikotomia e madhe mes Partisë Përparimtare Serbe dhe opozitës që është e pranishme në jetën politike të Serbisë u pasqyrua edhe në referendum. Siç deklaruan publikisht zyrtarë të lartë shtetërorë, qëllimi i referendumit për ndryshimet kushtetuese ishte sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, duke pretenduar se nga këto ndryshime varet përparimi i anëtarësimit të Serbisë në BE. Partitë e koalicionit ishin të përkushtuara për mbajtjen e një referendumi dhe një votë “Po.” Shumica e partive opozitare ishin kundër, duke thënë se Kuvendi Kombëtar nuk kishte legjitimitet të mjaftueshëm për të thirrur një referendum sepse nuk kishte debat publik. Në të njëjtën kohë, partitë opozitare që ranë dakord për të marrë pjesë në referendum u bënë thirrje votuesve të votojnë “Jo.” Pjesa më me ndikim e opozitës që perceptohet si pro-liberale dhe demokratike, por edhe e orientuar si pro-evropiane, bojkotoi referendumin.
Shpërndarja territoriale e rezultateve të referendumit tregon se shumica e votave në qytetet më të mëdha (Beograd, Novi Sad dhe Nish) ishin kundër amendamenteve dhe votuan “Jo.” Kjo ka nxitur disa analistë, gazetarë dhe politikanë të parashikojnë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. Edhe pse referendumi mund të konsiderohet si një provë vendimtare e elektoratit, ai nuk parashtron një bazë të mjaftueshme për parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Por padyshim që partitë politike duhet të kenë parasysh përvojën e referendumit kur vendosin qëllimet dhe taktikat e tyre zgjedhore.
Komentet dhe analizat e deritanishme të referendumit kanë lënë jashtë mesazhin që unë personalisht e konsideroj si efektin më të rëndësishëm të referendumit. Në fakt, ky referendum ka konfirmuar përfundimisht fundin e trashëgimisë së rëndë të Millosheviçit. Në valët e mobilizimit masiv në të ashtuquajturin “revolucion antiburokratik”, Millosheviçiu bëri thirrje qytetarëve të votonin më 1-2 korrik 1990 në një referendum për miratimin e Kushtetutës së re të Serbisë. Ajo u miratua më 28 shtator 1990. Me kushtetutën e re, krahinat e Kosovës dhe Vojvodinës humbën të gjitha elementet e shtetësisë që kishin sipas kushtetutës së mëparshme dhe morën autonomi territoriale. Me këtë Serbia u inaugurua zyrtarisht si “shtet i vetëm.” Prefiksi “socialist” u hoq nga teksti i kushtetutës, duke bërë kështu një shkëputje të qartë me Jugosllavinë dhe trashëgiminë e Titos. Kjo kushtetutë shihej si maja e praktikës së të drejtës kushtetuese, por zbatimi i saj ishte jashtëzakonisht i vështirë. Për të ndryshuar kushtetutën, kërkohej një shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të përfaqësuesve në Kuvendin Kombëtar, si dhe miratim shtesë në një referendum republikan me një kuorum pjesëmarrjeje prej më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Për më tepër, kërkohej më shumë se gjysma e votave për të mbështetur amendamentet e propozuara në kushtetutë. Udhëheqja e post-Millosheviçit nuk gjeti zgjidhje për ta kapërcyer këtë pengesë. Prandaj ata gjetën zgjidhjen kushtetuese të Millosheviçit, bënë një referendum dhe falsifikuan rezultatet sepse nuk u arrit shumica.
Në përgatitje për referendumin e javës së kaluar, qeveria e Vuçiçit e zgjidhi këtë problem duke miratuar Ligjin për Ndryshimet në Ligjin për Referendum dhe Nisma Popullore në nëntor 2021, në të cilin u hoq pragu i shumicës. Kjo do të thotë se referendumi nuk kërkon më një kuorum pjesëmarrjeje prej më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Në vend të kësaj, vendimi merret nga shumica e numrit të votuesve që kanë votuar. Kjo ka hapur rrugën për ndryshime të mëtejshme kushtetuese. Ka të ngjarë që në të ardhmen të ketë shumë ndryshime të tilla. Miratimi i një kushtetute krejtësisht të re nuk duhet të përjashtohet si rezultat i progresit në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE. Kjo është arsyeja pse zyrtarët e BE-së e mirëpritën rezultatin e referendumit për ndryshimet në kushtetutën e Serbisë./Pamfleti