
Andrew Tate shkruan nga burgu: Po përpiqen të më thyejnë brenda një qelie pa dritë, me morra e çimka
Andrew Tate është ankuar për kushtet në të cilat ndodhet në burg. Influencuesi ka bërë të ditur se është i rrethuar nga “buburrecat dhe morrat” ndërsa mbahet në paraburgim, raporton ‘The Sun’.
Ish-kampioni i kikboksit, i cili po përballet me akuza për trafik seksual dhe abuzim, ka zbuluar si i ka kaluar 27 ditët e para të paraburgimit. 36-vjeçari u ka dërguar ndjekësve të faqes së tij një rrëfim me titull: “Emaili im i parë nga burgu”.
Në poezi thuhej: “Po përpiqen të më thyejnë. Hyj brenda një qelie pa dritë. Buburrecat, morrat dhe çimkat janë miqtë e mi të vetëm gjatë natës. Kur rojet më sjellin në dhe nga salla e gjyqit, unë qëndroj absolutisht i respektueshëm. Ata përpiqen të derdhin urrejtje në zemrën time.”
Emri i burgut ku mbahet Tate nuk është bërë i ditur, por raportet e mëparshme kanë nxjerrë në pah kushtet e vështira të jetesës për të burgosurit në vend.
Sipas ligjeve rumune, të burgosurve u lejohet vetëm një orë në ditë “zbavitje në natyrë”, të cilën ata mund ta përdorin për të ushtruar ose lexuar. Raporti dënues zbuloi gjithashtu se shumica e të burgosurve qëndrojnë të mbyllur për 23 orë në ditë në qelitë e tyre.