Inxhinierja Luljeta Bozo është zyrtarisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë prezantimit të saj, në një aktivitet për rindërtimin, kryeministri Edi Rama zbuloi edhe si e priti ftesën inxhinierja. Rama tha se asaj iu desh kohë të mendohej e të vendoste, por nuk ua bëri shumë të vështirë, pasi në fund pranoi.
Rama: Dua të të falënderoj shumë Luljeta, dhe tani ta ndaj dhe me ata që po na ndjekin, që ti u tregove zemërgjerë dhe pasi u mendove vendose për të qenë pjesë e skuadrës sonë të 25 prillit, ku me kënaqësinë dhe nderin më të madh timin dhe të PS ne do të kemi një përfaqësues të një shtrese të gjerë shoqërore, që janë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Si nënë, gjyshe e stërgjyshe, të jesh një ndihmë e madhe për të na shkulur veshin me kujdes, por mos të na e këpusësh, që ne të jemi gjithmonë të fokusuar.
Kështu që Luljeta është simboli i gjithë asaj përpjekje solidare të shqiptarëve që u bënë bashkë si asnjëherë më parë në ato momente të tmerrshme dhe patjetër është edhe mishërimi i asaj ambicies sime dhe i dëshirës së madhe që skuadra jonë, përfaqësuesit tanë në Parlament, të jenë sa më shumë shëmbëlltyra e njerëzve. Për herë të parë në këtë histori të gjatë të gjithë pensionistët do të kenë njeriun e tyre aty. Nuk kam menduar që do të arrinim ta bindnim Luljetën, por nuk na e ka bërë plotësisht të vështirë. I jam shumë mirënjohës dhe jam shumë i qetë dhe i lehtësuar, i dëshiruar, që të shkojmë përpara njerëzve, duke pasur në krah dy gra të jashtëzakonshme.