Bota28 Nëntor 2022, 16:00

Anëtarësimi në NATO, Turqia rinis bisedimet me Suedinë dhe Finlandën

Shkruar nga Pamfleti

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu është shprehur se do të takohet me homologët e tij nga Suedia dhe Finlanda, për të diskutuar mbi anëtarësimin e tyre në NATO.

Sipas kryediplomatit turk, takimi do të zhvillohet gjatë Samitit të NATO-s që mbahet më 29 nëntor në Bukuresht.

“Ne do të takohemi me ministrat e Jashtëm të Suedisë dhe Finlandës nesër në Bukuresht përmes një formati trepalësh”, ka thënë ministri.

“Procesi po përparon në mënyrë pozitive, por ende ka hapa që duhet të ndërmerren. Në fakt, Suedia është ajo që duhet të ndërmarrë më shumë hapa”, shtoi Cavusoglu.

Kujtojmë se Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për të qenë pjesë e NATO-s në maj, në vazhdën e pushtimit rus ndaj Ukrainës.

Kërkesa e tyre ka hasur kundërshtimin e Ankarasë, e cila akuzoi vendet për mbështetjen e “terrorizmit”, pasi sipas saj dy shtetet po strehojnë duke militantët kurdë të kërkuar nga shteti turk.

Të tria vendet arritën në një marrëveshje në qershor të këtij viti, në të cilën shtetet nordike u zotuan “të zbatojnë kërkesat e Turqisë për dëbim ose ekstradim e të dyshuarve për terrorizëm” dhe të hiqnin një embargo armësh ndaj Ankarasë.

Marrëveshja përfaqësonte një nga pikat kryesore që vendet nordike t’i bashkoheshin aleancës ushtarake.

Për miratimin e anëtarësimit të dy vendeve në NATO nevojitet një pëlqim unanim nga 30 anëtarët e saj.

 

Bota Finlande NATO TURQI