Kosova 8 Dhjetor 2022, 10:24

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama, ka vlerësuar se po ekzagjerohet frika sa i përket situatës së krijuar nga shpërthimet në veri të Kosovës.

Rama ka thënë se nuk ka asnjë veprim në plan operacional që nuk është ndërmarrë sa i përket organizimit të zgjedhjeve në katër komunat veriore.

“Deri tash, nuk ka një veprim në plan operacional që nuk është ndërmarrë. Tash mos ta ekzagjerojmë shumë këtë punën e frikës. Po ekzagjerohet frika”, është shprehur Rama në një emision në KTV.

Ai ka folur edhe për legjitimitetin e zgjedhjeve në veri nëse pjesëmarrja e votuesve del të jetë e ulët. Sipas tij, ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk e përcaktojnë numrin minimal të votuesve.

“Ligjet dhe Kushtetuta nuk përcakton numrin minimal të votuesve. E jona si KQZ është që t’ia mundësojmë secilit qytetar me të drejtë vote të votojnë, s’mendoj që është edhe vullneti i qytetarëve që të mos votojnë por është presioni i strukturave atje për të mos dalë në zgjedhje. Nuk ka një prag minimal për të thënë që zgjedhjet janë legjitime. Atje nuk ka ulëse të rezervuara për komunitetin, ata garojnë drejtpërdrejt me secilin, dhe sado që dalin në zgjedhje, ato janë legjitime dhe legale”, ka thënë Rama.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se ekzistojnë rrethana shumë të veçanta për shtyrjen e zgjedhjeve dhe se për këtë nevojitet një rekomandim.

Derisa ka thënë se institucionet duhet të gjejnë alternativa për mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë të sigurt, Rama ka insistuar që zgjedhjet duhet të mbahen.

“Derisa MPB po thonë se janë në gjendje t’i sigurojnë zgjedhjet atje, atëherë kush e ka rolin atje që thotë se nuk mund të mbahen. Nuk duhet të tërhiqemi nga mbajtja e zgjedhjeve shkaku i kërcënimeve të Serbisë”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq, janë paraparë të mbahen më 18 dhjetor për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve të këtyre komunave më 5 nëntor.

Si shenjë proteste kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, që nga e marta në veri është sulmuar zyra e KKZ-së me granata dore.

Prishtine Alim Rama Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veriu i Kosovës zgjedhjet e jashtëzakonshme

Kosova