
Ditën e djeshme në Portin e Durrësit mbërriti anija me 6 mijë ton grurë nga Ukraina, lidhur m këtë ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe, i cili nuk e konsideron një lajm të mirë, faktin që ka mbërritur një anije me grurë nga Ukraina, për shkak se mijëra tonë grurë po i mbeten pa shitur bujqve vendas.
Braçe në reagimin e tij i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë që e porositi grurin të bëjnë transparencë e të publikojnë koston me të cilën gruri ka mbërritur në Shqipëri dhe çmimin me të cilën është marrë gruri në Ukrainë.
“Dy ditë me radhë, lajm i rëndësishëm në fushën e tregtisë dhe bujqësisë ka qenë anija me grurë që mbërriti nga Ukraina. Nuk e kuptoj pse është i rëndësishëm lajmi që një anije me 6 mijë ton grurë mbërriti në Portin e Durrësit. Askujt nuk i shkon në mendje të pyes, me çfarë kostoje erdhi ky grurë, sa del 1 kg grurë i ardhur nga Ukrainë në Doganën Shqiptare. Do doja që Ministra e Bujqësisë dhe mbi të gjitha vetë kompania që ka sjell grurin të bënte publike shifrat, çmimin, koston me të cilën ka ardhur gruri”, tha ai,
Deputeti socialist u shpreh se arsyeja se përse kërkon transparencë është sepse bujqit në Shqipëri kanë nga 20-25 ton grurë të pa shitur, ndërkohë që kompanitë private zgjedhin të importojnë grurë nga jashtë vendit me çmim dhe kosto më të lartë.
Braçe shtoi se nëse kompania apo Ministria e Bujqësisë nuk do të publikojë kostot, ai do t’i nxjerrë vetë të gjitha kostot reale me të cilat është marrë gruri.
“E di pse, se ka ende grurë të prodhuar në vend, grurë shumë i mirë, me proteinë 15%, me lagështirë 13-14%, me reze 75%. Për sa kohë që një bujk ka 20-25 tonë grurë të tillë këtu në Myzeqe, përsa kohë një bujk tjetër ka pak më tutje ka 20-22 tonë grurë gjendje, pse duhet të përbëjë lajm gruri i ardhur nga Ukraina me kosto më të shtrenjtë. Kam një lutje edhe për ministrinë e Bujqësisë dhe kompanisë, nuk kam asgjë tregtia është e lirë e të tjera me radhë, po t’iu thonë publikisht njerëzve me çfarë çmimi dhe kostoje. Nëse nuk e bën do ua tregoj unë koston reale me të cilat gruri i ardhur nga Ukraina ka dalë nga Dogana Shqiptare”, shprehet Braçe.