
Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin e sotëm, ku është marrë në pyetje për 2 orë e 30 minuta.
Sipas burimeve jozyrtare, Cani është thirrur për një çështje që lidhet me privatizimin e një ndërtese.
Kallëzimi është bërë në muajin shtator 2022 nga një grup ish-pronarësh të tokës ku ndodhet një ish-furrë e bukës në Tiranë.
Ata pretendojnë se e kanë fituar të drejtën e tokës jo vetëm me vendim të AKKP, por edhe me vendim gjykate të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.
Nga ana tjetër, disa ministri, përfshirë dhe Ministrinë e Financave, janë përfshirë në një procedurë ankandi të privatizimit të objektit dhe tokës.
Këtë procedurë e ka fituar një subjekt tjetër dhe jo pronarët e tokës.
Pas daljes nga SPAK, ish-ministri Cani ka dhënë një prononcim për mediat teksa ka thënë se nuk është surprizuar që është pyetur për këtë çështje teksa ka deklaruar se është i gatshëm të paraqitet për të treguar vetëm të vërtetën.
I pyetur se çfarë pret nga SPAK përsa i përket çështjes së inceneratorëve, Cani ka thënë se pret vetëm drejtësi.
Dëshmoi mbi dy orë në SPAK, Shkëlqim Cani: Nuk u thirra për inceneratorët!