Ekonomi20 Tetor 2018, 09:50

Anketa, 86% e familjeve në Shqipëri kanë marrë remitanca

Shkruar nga Pamfleti

Anketa, 86% e familjeve në Shqipëri kanë marrë remitanca

Grupi i Bankës Botërore bëri një studim mbi sjelljen financiare të përfituesve të remitancave në gjashtë vende në Europës Lindore dhe Azinë Qendrore (ECA), ku përfshihet Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja, Taxhikistani dhe Republika e Kirgistanit.
Objektivi kryesor i anketës ishte perceptimi i sjelljes së marrësve të remitancave në vendet e përzgjedhura dhe nivelin e kënaqësisë me produktet dhe shërbimet ekzistuese të remitancave.

Sipas rezultateve të këtij anketimi (806 familje, të cilat kanë marrë remitancat), 86% e familjeve të intervistuara në Shqipëri kanë marrë dërgesa dy deri në tre herë në vit për një periudhë 10-vjeçare. Shuma e marrë në një vit është 2,350 USD ose 499 USD për transaksion. Këto vlera janë më të lartat nga vendet e marra në studim pas Kosovës. Shumica e flukseve të remitancave vijnë nga Greqia dhe Italia (më shumë se 60%).

Ky studim tregon se Shqipëria i përdor më pak bankat për kanalizimin e remitancave krahasuar me rajonin, kryesisht për shkak të kompleksitetit të procesit dhe procedurave dhe për shkak të kostove të larta të transferimit. Rezultatet e anketimit tregojnë gjithashtu se në Shqipëri, më shumë se 50% e familjeve përfituese nuk posedojnë llogari bankare, ndërsa vetëm 35% përdorin kartë pagese.

Projekt për edukimin e emigrantëve dhe përfituesve

Banka Botërore po aplikon projektin Greenback, që është një nismë e Grupit të Bankës Botërore që angazhohet për promovimin e edukimit financiar të emigrantëve dhe familjeve të tyre, të cilët presin dërgimin e remitancave në qytet, bazuar në vëllimin e flukseve të remitancave. Objektivi i përgjithshëm është rritja e efikasitetit të remitancave përmes një qasje inovative, kryesisht për promovimin e ndryshimeve bazuar në nevojat reale të përfituesve. Nën këto kushte, bashkëpunimi midis emigrantëve dhe familjeve të tyre, ofruesve të shërbimeve të remitancave dhe autoriteteve publike është çelësi për arritjen e objektivit të projektit.

Projekti Greenback është zbatuar në disa qytete anembanë botës, dërguese dhe përfituese, ndër të tjera: Italia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Malajzia, Indonezia dhe Haiti. Ky projekt ka mbështetur hartimin e programeve të edukimit financiar në këto vende. Karakteri rajonal i projektit ndihmon në adresimin e nevojave konkrete të komunitetit dhe promovon ndryshime të përshtatura për nevojat e popullsisë. Projekti ka prodhuar qasje të reja dhe ka ndihmuar në perceptimin më të mirë të çështjeve, duke kontribuar dukshëm në sjelljen e emigrantëve dhe familjeve të tyre.

Banka Botërore në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ka zgjedhur Beratin si një rast pilotimi për zbatimin e projektit Greenback. Zbatimi i projektit në Berat filloi me takimet e fokus-grupeve gjatë kthimit të emigrantëve për festat e fundvitit. Studimi për Beratin ka përfunduar në mars të këtij viti dhe projekti do të implementohet brenda vitit 2019.

Nga 2007-2017, bankat kanë pakësuar shërbimet për emigrantët

Më herët këtë vit, Banka e Shqipërisë zhvilloi një studim me fokus remitancat, në kuadër të planit kombëtar për promovimin e rolit të Diasporës në zhvillimin e Shqipërisë. Sondazhi i Bankës Qendrore përfshiu 16 banka, 31 institucione financiare jobanka dhe 10 shoqëri të kursim-kreditit.
Anketa evidentoi se bankat shqiptare aktualisht ofrojnë një sërë shërbimesh për emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre. Dymbëdhjetë banka që zotërojnë 86% të aktiveve të sistemit bankar kanë raportuar se ofrojnë shërbime për emigrantët dhe vetëm një bankë, që përbën 12.7% të aseteve të sistemit bankar, pohoi se nuk ofron produkte apo shërbime për emigrantët.

“Transferta bankare” është produkti kryesor që ofrojnë bankat. Produkti i dytë më i përhapur është “depozita”. Gjithashtu nëntë banka deklarojnë se ato ofrojnë “kredi hipotekore për emigrantët ose familjet e tyre”. Rezultatet e anketës në vitin 2007 treguan se 10 banka kishin ofruar “kredi hipotekore për emigrantët”. Arsyet për tërheqjen e bankave nga ky produkt mund të vijnë nga faktorët e kërkesës dhe të ofertës, shpjegon Banka e Shqipërisë.

“Huaja e biznesit për emigrantët dhe familjet e tyre” është një tjetër shërbim që bankat vazhdojnë të ofrojnë, edhe pse në një masë më të vogël (vetëm 5 banka që përbëjnë 23.6% të aseteve, nga 6 banka duke përbërë 42.8% të aseteve në vitin 2007).
Në dallim nga rezultatet e anketës së vitit 2007, kur 13 banka ofruan kredi konsumatore për emigrantët dhe familjet e tyre, në këtë anketë vetëm 4 banka që përbëjnë 23.5% të aseteve të sistemit bankar ofrojnë kredi konsumatore për emigrantët. Këto rezultate tregojnë se bankat nuk po i kushtojnë më shumë vëmendje shërbimeve që mund t’u ofrojnë emigrantëve.

Një zhvillim pozitiv, në aspektin e shërbimeve për emigrantët, është vetëm në lidhje me depozitat me karta elektronike, i ofruar nga 10 banka, që përbëjnë 65.6% të aseteve të sistemit bankar, kundrejt 8 bankave (që përbëjnë 57% të aktiveve të sistemit bankar) në vitin 2007.
Në lidhje me transfertat pa komisione, vetëm një bankë ka raportuar se për emigrantët, ofruan transferime pa komision deri në një shumë të caktuar (900 euro). 10 vite më parë, 5 banka raportuan se ofronin transferta pa komisione deri në një shumë të caktuar për emigrantët.

Sa i përket monedhës së përdorur për pagesat bankare, 5 banka raportuan se kanë aplikuar pagesa në monedhën origjinale të transferimit, 3 banka raportuan se japin transferta edhe në lekë dhe 7 banka raportuan se e japin transfertën sipas dëshirës së marrësit. Në dallim nga viti 2007, vetëm 2 banka raportojnë se kanë një marrëveshje me bankat në vendet pritëse të emigrantëve nga 10 banka me marrëveshje në vitin 2007.
Vetëm 3 banka raportojnë se ofrojnë shërbime të transferimit në kohë reale (d.m.th. shërbimet brenda 24 orëve), ndërsa 9 banka kërkojnë dy ditë për transferimin e parave. Në anketën e vitit 2007, 8 banka raportuan në kohë reale transfertat për remitancat. Të gjitha bankat raportuan se përdorën SWIFT për transfertat dhe 2 banka raportojnë se, përveç SWIFT, përdorën edhe metoda të tjera.

Nga të dhënat e anketës shihet se bankat kanë zhvendosur vëmendjen e tyre nga remitancat, ndonëse dërgesat janë të larta dhe një pjesë e këtyre rrjedhave kanalizohet jashtë kanaleve zyrtare të transferimit. Banka e Shqipërisë rekomandon se bankat duhet të rifokusojnë vëmendjen e tyre në biznesin e remitancave, pasi burime të reja fitimi vijnë nga komisionet. Së dyti, remitancat janë një burim i madh financimi në valutë. Së treti, bankat mund të shesin produkte të tjera që lidhen me remitancat, si për emigrantët edhe për përfituesit e remitancave, p.sh. kartat e debitit, kartat e kreditit dhe kredia konsumatore, rekomandon Banka e Shqipërisë

Bankat nuk kanë plane të ofrojnë shërbime për emigrantët

Banka e Shqipërisë i pyeti institucionet financiare për pritshmëritë dhe planet e ardhshme në aktivitetin e tyre në lidhje me sigurimin e produkteve dhe shërbimeve të reja të lidhura me remitancat. Vetëm një bankë, që zotëronte 5.3% të aktiveve të sistemit bankar, tregoi pritshmëri pozitive rreth planeve për të ofruar produkte të tilla në të ardhmen (kundrejt 9 bankave në vitin 2007). Lloji i produktit i përzgjedhur sipas prioritetit është “depozitimi” dhe pastaj “parapagimi me karta”. Njëmbëdhjetë banka iu përgjigjën “JO”, d.m.th. 93.2% e sistemit bankar shqiptar nuk kanë plane të shtojnë produktet dedikuar emigrantëve.

Ndërsa institucionet mikrofinanciare u treguan optimiste për sigurimin e produktit për emigrantët. Trembëdhjetë institucione, nga 34, u përgjigjën se kishin plane për të shtuar produkte të reja për emigrantët dhe remitancat në të ardhmen. Lloji i produkteve dhe shërbimeve financiare që ata planifikojnë të ofrojnë për emigrantët ndryshon nga ato që planifikojnë bankat. Përveç produkteve të reja që lidhen me depozitimin i remitancave, ngjashëm me bankat, institucionet mikrofinanciare presin të ofrojnë produkte lidhur me kreditë për strehim, e cila është zgjedhja e dytë e sektorit.

Ndryshe nga bankat, institucionet e mikrofinancës kanë zgjedhur të planifikojnë në produktet e ardhshme “ndërmjetësimin për investime dhe menaxhimin e portofolit” si dhe “skemat e kursimit afatgjatë”. Qasja e institucioneve financiare jobanka në tregun e remitancave është e ndryshme nga ajo e bankave. Këto institucione i kushtojnë më shumë vëmendje tregut të remitancave, duke përshtatur produktet që u shërbejnë posaçërisht emigrantëve dhe familjeve të tyre

 

Harta e emigracionit

Pas viteve 1990, Shqipëria ishte e dominuar nga rrjedhat e migrantëve, të cilat mund të konsiderohen si intensive, të parregullta dhe në zhvillim, për shkak të veprimit të kombinuar të faktorëve të shtytjes ekonomike dhe politike.

Informaliteti ka qenë një fenomen shumë i pranishëm në migracionin shqiptar, me një numër të madh të migrantëve pa dokumente shqiptare, numri i të cilëve nuk mund të vlerësohet sipas Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria kishte 3.2 milionë banorë, rreth 1 milion banorë të saj i ka në emigracion.

Numri i emigrantëve shqiptarë, që aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, është vlerësuar në 1.15 milionë. Rreth 90% e emigrantëve shqiptarë jetojnë në Europë, pjesa tjetër në SHBA. Më shumë se 99% (1.142.748 individë) janë të vendosur në rajone më të zhvilluara dhe vetëm 0.5% (5.396 individë) në rajonet më pak të zhvilluara. Rreth 93% e emigrantëve janë të vendosur në vendet me të ardhura të larta dhe vetëm 6.8% (78.441 individë) në vende me të ardhura të mesme dhe një përqindje mjaft të ulët, në vendet me të ardhura nën mesatare.

Shqiptarët kanë migruar kryesisht në vendet fqinje, Itali (455,468 ose 40% e emigrantëve) dhe Greqi (429,428 ose 37%). Afërsia gjeografike, ngjashmëritë në kulturën dhe mënyrën e jetesës dhe krijimi i rrjeteve të emigrantëve e bëjnë Greqinë dhe Italinë dy destinacionet më të preferuara për të punuar dhe për të jetuar jashtë vendit, teksa një trend i ri migrimi po shkon në vende të tjera të Europës, si Gjermani, Francë dhe Britani. Greqia ishte vendi me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, deri në vitin 2010.

Aktualisht, Italia ka numrin më të lartë të përgjithshëm të emigrantëve shqiptarë. SHBA janë një destinacion tjetër i preferuar ndërkombëtar, jashtë Europës, për emigrantët shqiptarë. Në vitet 1990, migrimi ishte një fenomen i zakonshëm, kryesisht në mesin e meshkujve, megjithatë, duke iu referuar të dhënave më të fundit të vitit 2017, mospërputhja gjinore ka rënë, duke qëndruar pothuajse në nivele të barabarta (580,344 meshkuj dhe 567,800 femra). Emigrimi i femrave është rritur si rezultat i bashkimit familjar dhe mundësive më të mira jashtë vendit. Femrat janë dominante në raport me meshkujt në SHBA dhe në Turqi./Monitor

Ekonomi anketa Banka Botërore projekti Greenback