Aktualitet28 Qershor 2022, 19:20

Anketa/ Çfarë kanë më shumë frikë shqiptarët: korrupsionin apo luftën?

Shkruar nga Pamfleti
Anketa/ Çfarë kanë më shumë frikë

Sipas një ankete kombëtare të Qëndra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes shumica e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin si kërcënimin më serioz me të cilin përballet vendi – i rrënjosur si pasojë e institucioneve të dobta dhe fuqisë së oligarkëve.

Një anketim kombëtar i titulluar “Barometri i Sigurisë së Shqipërisë”, zbatuar nga Qëndra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) me mbështetjen e fondacionit gjerman në Tiranë “Friedrich Ebert Stiftung”, u prezantua të martën paradite në një konferencë ku u diskutuan mes përfaqësuesish të qeverisë dhe politikës rezultatet e gjetura nga përgjigjet e qytetarëve, transmeton Pamfleti.

Barometri i Sigurisë përfshin katër tematika kryesore të cilat konsistojnë në perceptimet e shqiptarëve mbi kërcënimet e sigurisë, sigurinë bashkëpunuesë me vendet aleate, sigurinë dhe barazinë gjinore, si edhe korrupsionin dhe antikorrupsionin.

“Korrupsioni vijon të shihet si kërcënimi kryesor i brëndshëm”, tha Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i CSDG.

Sipas anketimit shumica dërrmuese e qytetarëve perceptojnë se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë, me një raportim 39.3%, ndjekur nga lufta me vendet fqinje si kërcënimi i dytë më serioz (30.2%).

Ky perceptim mbi korrupsionin rezulton i njejtë për katër vite rresht që prej vitit 2019, që përkon me edicionin e parë të barometrit të sigurisë.

Barometri i Sigurisë, është bazuar në gjetjet e anketës së implementuar me 1110 qytetarë të 61 bashkive të Shqipërisë, gjatë periudhës Mars-Prill 2022, për të marrë perceptimin e tyre mbi çështjet e sigurisë.

Më shumë se gjysma të anketuarve (53%) mendojnë se në pesë vitet e fundit korrupsioni është rritur ndjeshëm, ndërkohë që qytetarët mendojnë se qeveria nuk është serioze në angazhimin e saj për ta luftuar korrupsionin. Sipas anketës 45% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është rrënjosur aq thellë sa denoncimi i tij nuk do të sillte ndryshim.

“Nuk më pëlqen që korrupsioni është normalizuar si term dhe që flasim sikur e marrim të mirëqenë”, tha Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian.

“Në rradhë të parë është dhe faji im si pjesë e opozitës, që nuk duhet ta linim të merrej si fenomen i mirëqenë”, shtoi ajo.

Shkaqet kryesore të korrupsionit në vendin tonë sipas perceptimit të qytetarëve duket të jenë institucionet jo të forta (31.5%) ndjekur nga fuqia e oligarkëve (29%).

Qytetarët perceptojnë se politikanët janë përgjegjësit kryesorë për mos uljen e nivelit të korrupsionit, ku 73.2% e të anketuarve e pohojnë këtë gjë.

Sa i përket krimit të organizuar, 62% e të anketuarve mendojnë se organizatat e krimit të organizuar e përdorin korrupsionin për të ndikuar në vendimarrje politike.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj tha se korrupsioni përdoret nga krimi i organizuar për të kapur institucionet publike.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar shkojnë paralelisht me njëri-tjetrin”, tha Felaj, e cila nuk la pa vlerësuar edhe Njësinë Kombëtare të Antikorrupsionit të krijuar së fundmi.

Një pjesë e vogël e qytetarëve mendojnë se influencat e krimit të organizuar shkojnë deri tek raportimi i medias. Rezultatet e anketës tregojnë se shumica e qytetarëve shohin si një zgjidhje të mundshme për të ulur korrupsionin “vettingun” e politikanëve.

Shumica e të anketuarve shohin SPAK-un si institucionin që luan aktualisht rolin më të madh në luftën kundër korrupsionit. /VOA

Aktualitet