Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar ditën e sotme padinë e bërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim për qarkun e Vlorës. Ata rrëzuan kërkesën e PD për marrjen e provave shtesë pasi nuk janë konkrete për nevojë të gjykimit.
Altin Kaziaj përfaqësues i LSI në Kolegj tha se: Nga dokumentet shtetërore të nxjerra nga KQZ, del se si disa shtetas kishin ardhur në periudhë ndalimi të pandemisë dhe kishin detyra zgjedhore, ky orientim politik është bërë për të goditur opozitën , që shqiptarët jashtë mos të japin votën e tyre. Ku urdhër ka dalë në mënyrë abuzive për të goditur opozitën, prandaj kërkojmë shpalljen e pavlefshme të këtyre zgjedhjeve, KAS vendosi politikisht. Ne i kemi vënë provat në dispozicion, duam ta pranoni kërkesë padinë.
Kujtojmë se partitë opozitare kërkuan shpalljen e rezultatit të pavlefshëm dhe rivotimin në qarkun Vlorë me pretendimin se gjatë fushatës së zgjedhjeve qeveria shfrytëzoi administratën, burimet dhe shërbimet shtetërore duke i kushtëzuar ato në këmbim të votës.
Dje, Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë paditë e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit Kreshnik Merxhani në qarkun e Gjirokastrës.
KAS vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet e tjera publike, ndërsa pranoi kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark. Megjithatë në fund të shqyrtimit vendosi rrëzim të kërkesës.
Thuajse të gjitha vendimmarrjet e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ janë dërguar nga PD, LSI dhe Vetëvendosje në Kolegjin Zgjedhor.