Me përfundimin e ankimimeve të zgjedhjeve të 25 prillit në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, procedura ka kaluar në Kolegjin Zgjedhor.
Dje, Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë paditë e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit Kreshnik Merxhani në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa sot radha është për padinë e PD-së për qarkun e Vlorës.
KAS vendosi të rrëzojë edhe kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet e tjera publike, ndërsa pranoi kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark. Megjithatë në fund të shqyrtimit vendosi rrëzim të kërkesës.
Thuajse të gjitha vendimmarrjet e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ janë dërguar nga PD, LSI dhe Vetëvendosje në Kolegjin Zgjedhor. Me përfundimin e Gjirokastrës në Kolegjin Zgjedhor mbetet për tu gjykuar edhe 8 qarqe dhe një prej tyre është Vlora.
Partitë opozitare kërkuan shpalljen e rezultatit të pavlefshëm dhe rivotimin në qarkun Vlorë me pretendimin se gjatë fushatës së zgjedhjeve qeveria shfrytëzoi administratën, burimet dhe shërbimet shtetërore duke i kushtëzuar ato në këmbim të votës.
Seanca pritet të fillojë në orën 10:00 dhe për çështjen e Partisë Demokratike relatore është caktuar gjyqtarja, Esmeralda Xhili.