Më 29 maj 2023, “Pamfleti” publikoi një lajm të sigurt me burim konfidencial nga kupola e SHISH, për udhëtimin dhe qëndrimin ilegal në Serbi, të drejtoreshës së këtij shërbimi, Vlora Ramush Hyseni, pa dhënë detaje se më cilët u takua e çfarë bisedoi.
Tri ditë pas daljes së lajmit, Sali Berisha e përdori këtë skandal, për të goditur Edi Ramën dhe për të ricikluar veten si “atdhetar”, pas dokumentit të publikuar në FBI, që provoi se Sali Berisha, ka qenë mbështetës i Milosheviçit kundër pavarësisë së Kosovës si shtet me vete.
Pas përdorjes së lajmit nga Sali Berisha, këtë e përgënjeshtruan 3 media të njohura si “qendra zëri” të qeverisë, konkretisht “Tema” e ish- SHIK, piramidave dhe koncesionit të thertoreve e tashmë “pashai” i Bashkisë Sarandë; TOP-Channel i Inceneratorëve dhe “Dita” e Telebingos, pyjeve të Ersekës, tokave të Divjakës dhe koncesioneve të rrugës Durrës-Rrogozhinë, që nga koha e Mondit (Haxhinastos).
Këto media, që nën dorë e me vendime kryeministrore, marrin licenca, leje kullash, pasuri e miliona lekë nga qeveria, u përdoren nga Babloku, për të mohuar udhëtimin e shefes së SHISH në Serbi, duke publikuar një fotografi të servirur nga portali i kosovar “Nacionale” i Berat Buzhalës e “B52”, që Vlora e SHISH më 22 maj ka qenë në ceremoninë e nisjes së stërvitjes “Defender 2023” në Shqipëri.
“Pamfleti” nuk ka thënë që më 22 maj, Vlora Hyseni ishte në Serbi, por ka thënë që ka udhëtuar për 10 ditë shërbim në Serbi; dhe sipas kalendarit, nga data 22 maj mbasdite kur është nisur e deri më 29 maj kur ka dalë lajmi janë 8 ditë, ndërsa kthimi i saj nga Serbia është bërë “me urdhër urgjent” më 30 maj, 1 ditë pasi “Pamfleti” publikoi lajmin.
Në orën 15.30 minuta të datës 30 maj, ajo ka mbledhur urgjent 11 shefat e sektorëve të SHISH, të cilëve u ka dhënë ultimatum, të zbulojnë se si ka dalë sekreti i udhëtimit të saj në Serbi, madje ka angazhuar dhe 4 agjentë për të nxjerrë info nga “Pamfleti”.
Pra, mediat e qeverisë dhe media kosovare e Berat Buzhalës, mikut të afërt të shefe Vlorës së SHISH, përdorën një fotografi e 1 datë, për të mohuar vizitën e saj në Serbi, ku po i themi me zë të lartë, se ka qenë vizitore “tek pullë” në zyrat e shërbimit sekret serb “BIA”.
Për këtë skandal, kryeministri që është i vetmi autoritet kushtetues që ka në vartësi SHISH dhe epror i Vlora Hysenit, përdori mediat e tij për të krijuar mjegullën e fshehjes së të vërtetës.
Por Edi Rama nuk e mohoi lajmin që publikoi “Pamfleti”, as më 29 maj e as më 31 maj, kur këtë lajm e përdori Sali Berisha për interesat e veta politike, madje po hesht akoma, tamam siç heshti pas skandalit të tij “McGonigal”.
Është absurde, që po hesht dhe Presidenti i Republikës si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kryetarja e Kuvendit si zv/kryetare e këtij këshilli, Ministri i Brendshëm, Ministrja e Jashtme dhe 5 institucionet e larta shqiptare të Sigurisë Kombëtare, për të thënë nëse ka qenë apo jo shefja e SHISH në Serbi.
Po hesht edhe vetë Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, duke mos e mohuar vizitën e saj në Serbi, madje nuk po guxon të thotë as ku ka qenë nga data 22 deri më 30 maj, 1 ditë pasi “Pamfleti” publikoi lajmin.
Nuk po nxjerrin prova, as mediat që u përdorën si mbuluese të skandalit, sepse për fat të mirë, shërbimet e kufirit kanë një sistem TIMS që tregon nëse ajo ka udhëtuar nëpërmjet Malit të Zi drejt Serbisë e është rikthyer nga ky destinacion, por jo nga Kosova për të mos lenë gjurmë.
Por edhe zyrat e SHISH, kanë kamera e raporte ditore prezence te zyra e kontaktit konfidencial, që vërtetojnë nëse Vora Hyseni ka qenë apo jo në punë ato ditë dhe ku ka qenë me shërbim.
Ndërsa e vetmja gjë që nuk dimë është kjo: Nëse drejtoresha e SHISH, Vlora Ramush Hyseni, ka përdorur pasaportën e thjeshtë shqiptare, pasaportën diplomatike kosovare, apo Kartën e NATO.
P.s/ Lidhur me etiketimin, që televizioni “Syri i Gërdecit”, i bënë “Pamfleti”-t si “media qeveritare”, po i kujtojmë se jo vetëm jemi më opozitar se ata, por lajmet tona kundër aferave të pushtetit “Rilindja”, po i vjedh ky televizion bashkë me bacën Sali për të bërë opozitë, siç është rasti i skandalit të shefes së SHISH. Nejse kjo pak rëndësi ka, se nuk merremi me kiç gjëra si Saliu dhe Syri i të birit/Pamfleti