“Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë “- Indro Montanelli.
Shkruan Nebil Çika
Kjo fushat denigruese e oligarkisë politike, ekomomike e mediatike ndaj Enkelejd Alibeaj qe po shikoni çdo dite në media e rrjete sociale tregon frikën e tyre për një orientim politik e ideologjik të djathtë e për me tepër antikomunist të PD.
Në të gjithë karrierën e tij politike z. Alibeaj ka dëshmuar që personalisht është i tillë dhe këtë e ka bërë me akte politike, jo sot por herët, kur Berisha kishte pushtet absolut.
Ka shumë gjëra por mjafton vetëm akti kur votoi kundër ish hetuesve të Sigurimit të Shtetit që Berisha i çoi në Gjykatë Kushtetuese, pasi rrëzuan akuzat për korrupsion të Ilir Metës, në 2013 por edhe fakti se vjen gjenetikisht nga një familje fisnike e me kontribute të spikatura patriotike, e përndjekur politike e diktaturës komuniste.
Djemtë dhe shërbëtorët e Bllokut komunist dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit në media nuk mund ta pranojnë dot këtë fillim të fundit të pushtetit të tyre, që nga 1945, në Shqipëri.
Përcaktimi i kriterit “antikomunist” në kushtet e PD për mazhorancën në përpjekjet për të zgjedhur një “president me konsensus” ka tërbuar komunistët jo vetëm në PS, që e shohin, me të drejtë, një kurs të tillë të PD dhe të djathtës shqiptare si një rrezik për establishmentin aktual të Shqipërisë. Pikërisht ky rrezik, kjo frikë e ka bërë “aleancën e qelbësirave” t’i bashkohet makinës propagandistike të baltës kundër tij, sipas parimit grek: Gënje, gënje se diçka do të mbetet.
Viktimat të monopolizimit të opinionit publik nga oligarkia post komuniste janë shqiptarët të cilëve vazhdon tu bëhet lavash truri me metoda komuniste, por me mjete e agjitprop më të sofistikuar që i quajnë “analistë”. Interesi i tyre është që PD të vazhdojë të kontrollohet nga linja komuniste e Berishës sipas akordit “katovician” të 1991: “Mishin t’ua hajë po kockën t’ua ruajë komunistëve”. Pikërisht këtë akord kërcënon të prishë politika antikomuniste e Alibeajt në krye të PD.
Dje lexova në Facebook një thirrje të kolegut tonë te mirënjohur, Marash Mirashi, për detyrimin që ka SPAK të hetojë e verifikojë edhe pasuritë e “gazetarëve milionerë” për të parë se si janë vënë ato me qëllim që publiku të kuptojë arsyet e helmit që merr çdo ditë prej tyre për interesa të te establishmentit politiko-mafioz të Shqipërisë që i paguan.
Publikimi i të dhënave personale të pagave nxori në dritë disa prej tyre, por kjo duket se nuk mjafton. Shqiptarët kanë të drejtën të informohen se si e sa paguhen me taksat e tyre dhe paratë e oligarkisë ata që i mashtrojnë çdo ditë në media, për të bërë edhe dallimin midis gazetarëve të vërtetë dhe “hanxharëve” të mafies politiko- ekonomiko- mediatike të Shqipërisë.
Këta nuk janë gazetarë, por vegla të oligarkisë.
Ja çfarë ka thënë për ta një prej gazetarëve me të shquar të botës, Indro Montanelli, për këtë lloj gazetarie e gazetarësh:
“Po ne jemi përherë të paguar pak, sepse ky zanat nuk bëhet për lekë. Përkundrazi, në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni. Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çojë në mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, bile edhe më shumë për të jetuar mirë.
Por, një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera.
Një gazetar që skllavëron zanatin – duke i kërkuar ndjesë Prokurorit – unë do ta pushkatoja”.