“Partia Socialiste u tërhoq nga marrëveshja për të pasur një president konsensual, i cili duhet të jetë mbi palët”– kështu është shprehur kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, duke sqaruar arsyen pse anuloi mbledhjen e grupit me deputetët e PD-së.
Përmes një deklarate për shtyp, Alibeaj u shpreh se mesazhi i Taulant Ballës tregon që mazhoranca nuk kërkon konkludimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Shtetit në mënyrë konsensuale me opozitën.
“Sot ka pasur në media po edhe nga kontaktet që kam pasur, një tërheqje nga Partia Socialiste. Ne u nisëm nga ideja për të krijuar një president konsensual dhe mbi palët. Kjo tërheqje nga nënshkrimi edhe nga pala tjetër, nuk është gjë tjetër veçse mospranim i mos konsuelitetit të kandidaturës”, tha Alibeaj.
Kujtojmë se, grupi Parlamentar i PD-së nuk do të mblidhet pasditen e së premtes në selinë blu, sikurse ishte planifikuar. Shkak për anulimin e kësaj mbledhjeje, është bërë deklarata e kreut të grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti nuk zgjidhet në raundin e dytë e të tretë, por në raundin e katërt nga Partia Socialiste.
Ky sqarim i Ballës cilësohet si shkelje e marrëveshjes nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.