
Ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha ka votuar këtë mëngjes për kryetarin e ri të degës numër 2 në Tiranë.
Në një prononcim për mediat, Berisha u pyet edhe për ankimimin e Enkelejd Alibeajt që u mor ditën e djeshme në shqyrtim nga gjykata e Apelit në Tiranë.
Ish-kryeministri thotë se ky është një revolucion që asgjë nuk e ndal, ndërsa hodhi sërish akuza ndaj gjyqtares dhe ambasadores amerikane.
Ai tha se ky është akt individual dhe se do të informojnë SHBA-në me hollësi.
“Ky është një revolucion, ju garantoj. Keni parë këto kohë një lloj rënie të valës, por në të vërtetë ka qenë një angazhim total në procesin zgjedhor të PD por këta sot janë në këmbë se marshin e tyre nuk mund të ketë forcë që e ndal. Për sa i përket standardit një gjykatëse vendosi dje të shkruajë ligjin e shtetit në një akt që tejkalon çdo imagjinatë. Në një presion të tmerrshëm. Kjo është e qartë që është po kjo gjykatëse që nuk ka pranuar ankesën tonë, duke vlerësuar më parë se ne nuk ishim palë, por tani ajo shpalli palë. Nuk besoj se ka pasur një shkelje më të rëndë mbi vlerat, mbi të cilat vlerat e lirisë qëndrojnë SHBA. Është një akt individual, për të cilin ne do të informojmë me hollësi shtetet e bashkuara”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të pranojë vendimin e gjykatës, Berisha nuk preferoi të përgjigjet.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës që i dha “vulën” e PD-së Rithemelimit, ka përfunduar në Apel. Gjykata e Apelit ka njoftuar dje se është marrë në shqyrtim statutin e miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Tashmë beteja do zhvillohet në gjykatën e Apelit, pas vendimit të gjyqtares Blerina Muça për të pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeajt.
Në këtë mënyrë, Gjykata pranon si palë në proces, nënkryetarin e PD Enkelejd Alibeaj.