Raporti i KLSH-së konfirmon se Arben Ahmetaj ka shpërdoruar detyrën në vijimësi dhe në mënyrë të shumëfishtë si ministër për Rindërtimin. Raporti është një tjetër provë për SPAK, i cili prej disa muajsh ka një tjetër dosje të ‘Tigrit’ në duar, atë të inceneratorëve. Në prapaskenë po zhvillohet një luftë e fortë me lobime dhe ndërhyrje, për të shpëtuar ‘Tigrin’ dhe për ta ndarë nga dyshja Lefter Koka – Alqi Bllako
Karriera politike e Arben Ahmetajt, i vetëshpallur ‘Tigri’, është një histori 20-vjeçare korrupsioni, vjedhjeve, tjetërsimi të pasurive publike, klientelizimi, pastrimi parash dhe pasurie të dyshimtë.
Ahmetaj konsiderohet gjerësisht si figura e dytë emblematike e korrupsionit në Shqipëri pas Ilir Metës. Ai ka nisur karrierën korruptive me dosjen 50 milionë euro të vjedhjes së Albtelekomit me anë të kompanisë ‘Hermes’, 20 vite më parë, ku më pas u arratis në Rumani për t’i shpëtuar arrestimit. Aferat më të mëdha financiare të qeverisë Rama, që nga marrëveshja me kosto 400 milionë euro me CEZ, dosja e Spitallës me kinezët, kontrabanda e cigareve deri tek afera 450 milionë euro me inceneratorët, mbajnë vulën e Arben Ahmetajt.
Por, ‘Tigri’ duket se ka futur duart edhe në fondet e dhuruara për rindërtimin pas tërmetit të nëntorit 2019.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një auditim në Ministrinë e Rindërtimit e drejtuar nga Arben Ahemetaj, i zgjedhur nga Rama për menaxhuar paratë për rindërtimin. KLSH-ja ka konstatuar shkelje të rënda që veshin me përgjegjësi Arben Ahmetajn.
Sipas raportit, i cili është një dosje për SPAK, Arben Ahmetaj nuk ka të dokumentuar mënyrën e përdorimit të donacioneve për tërmetin.
“Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar informacione për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtare, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në raport. Shuma totale e ofruar për Shqipërinë, nga më shumë se 40 vende dhe banka ka arritur në 1.15 miliardë euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar edhe kaosin e krijuar nga Arben Ahmetaj në Ministrinë e Rindërtimit, për të krijuar kushtet optimale për abuzime. Sipas KLSH-së “Ministri i Shtetit nuk rezulton të ketë bërë ndjekjen e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për strukturat e posaçme, të ngritura me ligj apo vendim, për përballimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti. Nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara”.
Po sipas KLSH-së Arben Ahmetaj nuk ka të dokumentuar përgatitjen dhe propozimin e projekteve të përgjithshme e të veçanta, që të ishin pjesë e programeve të procesit të rindërtimit, si dhe nuk ka të dokumentuar kërkesa për mbështetje të specializuar njerëzore.
“Ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk ka të dokumentuar ushtrimin e kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; krijimin e grupeve të punës dhe organizmin e veprimtarive për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit… Sekretariati Teknik i Komisionit Shtetëror të Rindërtimit gjatë veprimtarisë së tij, nuk ka dokumentacion vërtetues për kryerjen e njoftimit dhe dërgimit të materialeve, pa numër protokolli, materialet e dërguara nëpërmjet e-mail-it janë bërë të njohura ditën e mbledhjes në shumicën e rasteve, procesverbalet e mbajtura nuk pasqyrojnë votën kundër, vendimet dhe procesverbalet e mbledhjeve të KSHR nuk janë nënshkruar të gjithë anëtarët etj”, thuhet në raport.
Raporti i KLSH-së konfirmon se Arben Ahmetaj ka shpërdoruar detyrën në vijimësi dhe në mënyrë të shumëfishtë si ministër për Rindërtimin. Raporti është një tjetër provë për SPAK, i cili prej disa muajsh ka një tjetër dosje të ‘Tigrit’ në duar, atë të inceneratorëve. Në prapaskenë po zhvillohet një luftë e fortë me lobime dhe ndërhyrje, për të shpëtuar ‘Tigrin’ dhe për ta ndarë nga dyshja Lefter Koka – Alqi Bllako./Pamfleti