Aktualitet30 Mars 2019, 22:25

Ardi Veliu “bosi” i bandave, Lleshaj duhet ta prangosë me urgjencë që të pastrojë krimin

Shkruar nga Pamfleti
Ardi Veliu “bosi” i bandave, Lleshaj duhet ta prangosë me

Ardi Veliu “bosi” i bandave, Lleshaj duhet ta prangosë me urgjencë që të pastrojë krimin

Sundimi i plotë, veprimi aktiv dhe tronditjet e përditshme publike, që po jep krimi në Shkodër, Elbasan, Korçë, Fier e Vlorë, është sinjal i plotë e i qartë, se duhet bërë urgjent shfarosja dhe prangosja e bosëve në kupolën e policisë shqiptare, të cilët janë porositësit dhe mbrojtësit e krimeve, ndryshe, mund të vijë ora e dita shumë shpejt, që kapobandat ta “kapin për veshi” edhe ministrin Lleshaj e ta dërgojnë “për qofte e birra”, siç ndodhi me drejtorin e policisë së Fierit

Me një qetësi, naivitet e citate, tamam si në orë politike me rekrutët e rinj në ushtri, foli ministri Lleshaj nga Shkodra, pas goditjes së fortë e të frikshme psikologjikisht, që dha krimi në mes të qytetit e në mes të ditës, duke ndërruar një drejtor, me një tjetër, të dy, “xhaje” të bredhur nëpër poste nga 100 herë në çdo qark e brenda zyrave të drejtorisë së policisë dhe Ministrisë së Brendshme, pa asnjë fuqi për të vepruar.

Pse? Sepse një fjalë e urtë popullore, thotë: “Të keqen që ke brenda shtëpisë, mos e kërko jashtë avllisë” e në rastin konkret, fakti që krimi është më i fortë se shteti, që bandat janë një hap para policisë, që dihen e nuk kapen se nuk kanë prova, ka lidhje, me lidhjet që krimi ka brenda kupolës së policisë.

Sipas shumë fakteve, sipas shumë informacioneve dhe raporteve partneriale ndërkombëtare, që i kanë shkuar edhe Lleshajt në zyrë, “çuditërisht”, në çdo krim, lëvizje bandash e trafik, në Vlorë, Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Sarandë, Gjirokastër e deri në Itali e Greqi, “lakohet” emri i kryepolicit të shtetit, Ardi Veliu.

A janë skanuar këto informacione, që SHISH i ka dhe që “Europol” e “DEA”, kanë mbledhur e kanë depozituar tek tavolina e ministrit?

Mirë, kur ministër ishte Fatmir Xhafaj, që nuk hapeshin këto “letra të zeza” të kryepolicit, për shkak se të dy, ishin pjesë e kupolës së krimit, si mbrojtës e përfitues prej tij, por pse nuk po hapen tani, që ministër Lleshaj vazhdon e mbanë në krahë, si “luftëtar anti-krim, kur vetë Veliu është krimi?

Janë 124 raste, të skeduara në 5 vitet e fundit dhe në vitet kur ishte me detyra në vitet 1999-2006 në Vlorë, që provojnë lidhjet e Ardi Veliut, me kriminelë e banda krimi, me biznese të pista pastrimi parash e porositësh eleminimesh, me kulm kontaktet dhe fshehjen 1-vjeçare të “Eskobarit”, bosit ku Veliu, kishte marrë pagën si shef sigurie ilagal, i policisë së tij private prej 3 vitesh, deri kur ai u shpall në kërkim.

Në asnjë rast në qëndrimet e tij në raport me botën e krimit, kryepolici Ardi Veliu, nuk rezulton si “Komisar Katani”, por si ata, që “Katani” kishte në krye e në krahë, të cilët ishin “dispeçeria” e informacionit paraprak, zhdukësit e provave dhe “avokatët” mbrojtës të kriminelëve, para e pas çdo aksioni të dështuar, që ideonte dhe kryente policia.

Prandaj ministri Lleshaj, të mos merret me fjalime anti-krim e recitime force, por duhet t’i hapë ato “letra të zeza”, që kanë “gjurmë gishtash” të kryepolicit Veliu e të disa vartësve të tij qëndror në polici (për të cilët do flasim në vijim).

Jo për të hequr kureshtjen, por nëse e lejojnë Rama e Xhafaj, për të verifikuar dhe zbardhur, çdo rast të sotëm e të djeshëm, të krimeve të rënda që kanë ndodhur, sidomos në zonën Fier-Vlorë-Sarandë dhe atëherë, Lleshaj, do ta kuptojë, se spostimi dhe prangosja e Veliut, është rrugë e “pastër” për suksesin e policisë, ndryshe, sikur edhe nga 100 herë të tjera, t’i ndërrojë “xhahidët e nikot” nëpër poste, krimi nuk do ndalet.

Urojmë, që deri nesër të mos ndodhë diçka tjetër e që minsitri të mos recitojë të njëjtin tekst betimi kundër krimit…/Pamfleti/

Aktualitet Ardi veliu bandat kriminale sander lleshaj vrasja ne shkoder