Sport23 Shtator 2022, 22:22

Armand Duka “konfirmon” Edi Rejën, presidenti i FSHF para Izraelit: Mungesat s’janë justifikim, ‘yjet’ e Kombëtares, ata që djersitin në fushë

Shkruar nga Pamfleti
Armand Duka “konfirmon” Edi Rejën, presidenti i FSHF para

Armand Duka “konfirmon” Edi Rejën, presidenti i FSHF para Izraelit: Mungesat s’janë justifikim, ‘yjet’ e Kombëtares, ata që djersitin në fushë

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme në Izrael, ndeshjen më të rëndësishme në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të tentojnë gjithçka për gjithçka, për të bërë realitet objektivin madhor, që është vendi i parë në grup.

Në lidhje me këtë duel special, ka folur edhe presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, që për mikrofonin e “Supersport”, është përpjekur të tregohet i kujdesshëm në çdo fjalë që thotë. Duka nuk dëshiron të krijohen alibi me mungesat dhe as të bëjë diferencime mes emrave të Kombëtares. Gjithashtu kreu i FSHF-së preku edhe temën e të ardhmes së trajnerit Edi Reja, duke deklaruar:

Ndeshje finale mund të jetë mbrëmja e Shqipërisë- Futbolli i prodhon këto, disa herë fitore, herë të tjera jo. Nuk mund të themi se është një finale, por një ndeshje e rëndësishme për këtë kompeticion, sepse mund të na ngjisë në vend të parë, por mund të na çojë edhe në të fundit. Në vend të fundit, në fakt, jo, sepe aty është Rusia, kështu që mund të na çojë në vend të tretë. Me dy fitore, ose dy rezultate pozitive, mund të luajmë në Ligën A në edicionin e ardhshëm, në play off për Europianin, luajmë për një short më të mirë, pra do të kishim disa benefite.

Skuadra është përgatitur mirë dhe uroj të marrim rezultat pozitiv në Izrael. Është një skuadër shumë e fortë, luan në shtëpinë e vetë dhe ka pikë më shumë se ne. Mbase edhe gjendjen emocionale e ka më të mirë, sepse është në krye të grupit. Të shohim, fusha do ta ndajë. Pregatitja është bërë shumë e mirë.

Në asnjë rast në bisedat me futbollistët dhe trajnerin nuk e pranoj justifikimin që kemi mungesa. Ata që janë më të mirë janë këtu, kanë nivelin sportiv për të bërë gjithçka mirë në fushë, por na duhet edhe pak fat. Ndonjëherë ky fat na ka ndihmuar në Izrael, uroj që nesër të jetë një ditë po…

Mungesat e Izraelit – Futbolli luhet 11 kundër 11. Në fakt nuk thashë kemi mungesa, por nuk duhet të ndërtojmë alibi me mungesat. Më të mirët janë këtu, si për ne dhe për Izraelin. Futbolli ky është, njeh edhe dëmtimet, edhe kartonët. Nuk mund të luash në një kompeticion me 10 futbollistë, duhet të kemi minimalisht 30 dhe ne i kemi. Diferencat mes lojtarëve në cilësi nuk janë aq të mëdha, kështu që i kemi të gjitha mundësitë për të bërë gjithçka mirë, sikurse edhe Izraeli në të njëjtën mënyrë.

E ardhmja e Rejës- Të flasësh për vështirësi nëse arrijmë dy fitore, është gabim i madh. Do të jetë kulmi i gëzimit tim dhe i çdo shqiptari nëse dalim në vendin e parë. Pa dyshim që do të diskutojmë me trajnerin. Trajneri i Kombëtares, siç e kam thënë, ka bërë një punë shumë të mirë dhe vazhdon ta bëjë atë dhe nëse do të duhet të vazhdojmë në të ardhmen pa dyshim që do të jetë diskutim konsensual mes meje dhe trajnerit. Nuk do të ketë një divorc të sforcuar, pavarësisht nga rezultatet. Dhe kjo nuk do të thotë se vërtetë do të ketë një ndarje. Nëse do të jetë dëshira e tij për të vazhduar dhe nëse e sheh se mund ta ndihmojë ende kombëtaren pse jo.

Krenar për Brojën dhe Asllanin– Që luajnë në ligat e forta pa dyshim që ndihem krenar, si çdo shqiptar tjetër kur diskuton me kolegë apo miq. Ne fakt, kur luajnë në Kombëtare ndryshojnë gjërat. Kush djersit në fushë, është futbollist i mirë, kush jep në fushë është i domosdoshëm për ekipin. E kemi thënë që ky është sport kolektiv, jo individual, por me individë të mirë, bëjmë kolektiv të mirë.

Sport Armand Duka ndeshja me Izraelin presidenti i FSHF