Sport 8 Korrik 2022, 17:18

Armando Broja kërkon vetëm Çelsin, por Napoli i fiksuar pas yllit kuqezi, në Itali zbulojnë skenarët

Shkruar nga Pamfleti
Armando Broja kërkon vetëm Çelsin, por Napoli i fiksuar pas

Armando Broja kërkon vetëm Çelsin, por Napoli i fiksuar pas yllit kuqezi, në Itali zbulojnë skenarët

Armando Broja vazhdon të jetë në qendër të merkatos verore, teksa kërkohet nga një numër i madh ekipesh. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka kontratë deri në vitin 2026 me Çelsin dhe dëshira e tij për ta nisur sezonin e ardhshëm me blutë është mëse e madhe, por ekziston mundësia që karriera e tij të vazhdojë diku tjetër, qoftë edhe jashtë Anglisë.

Trajneri Tomas Tuhel ka kërkuar që ta shohë nga afër në fazën përgatitore dhe më pas të vendosë për të ardhmen e tij.

Por nga ana tjetër, edhe Broja mendon se nëse tekniku gjerman nuk e ka besimin e tij, atëherë është më mirë që ai të shitet në një klub tjetër, pasi kjo do të ishte më e mira për karrierën e tij dhe jo më një sezon tjetër të kaluar në huazim, si ai i fundit me Sauthemptonin, ku sulmuesi shënoi 9 gola në të gjithë kompeticionet dhe si ai i para dy viteve te Viteshe në Holandë, ku Armando realizoi 11 gola.

Këtë herë është ndryshe, Broja ose do të bëjë pjesë në klubin e Çelsit për sezonin e ri, ose mendon se do të shitet përfundimisht nga londinezët.

Interesimet konkrete-Në fakt, shumë klube në Premier Ligë janë të gatshme të lëvizin në merkato për të firmosur me shqiptarin. Njukasëlli nuk i ka problem paratë që kërkon Çelsi, pasi ata po ndërtojnë një skuadër të re pas ndërrimit të presidencës dhe objektivi kryesor, sipas mediave angleze, është pikërisht Broja.

Uest Hemi dhe Evertoni vazhdojnë të ndjekin seriozisht situatën e lojtarit kuqezi, ndërsa edhe Sauthemptoni shpreson për një blerje të kartonit, pas eksperiencës të shkëlqyer që Broja pati me “Shenjtorët”.

Napoli nuk heq dorë- Napoli i Luçiano Spaletit po ndërtohet nga e para. Përveç lëvizjeve të shumta në repartet e tjera, teknikun po e shqetëson edhe sulmi, pikërisht varianti Osimeh, i cili është në lupën e Mançester Junajtid dhe Bajernit, dhe në rast largimi, Armando Broja është alternativa kryesore për të udhëhequr sulmin e Napolit në Serinë A sezonin e ri. Jo vetëm në ditët e fundit, por skuadra italiane ka kohë që po e monitoron 20- vjeçarin, që tashmë e ka të ardhmen në dorën e trajnerit të Çelsit, Tomas Tuhel.

Sport Armando Broja Çelsi Napoli sulmuesi kuqezi