
NATO i trembet përshkallëzimit të konflikti në Ukrainë. Vendimet e marra në Samitin e Madridit ishin sinjalet e para, pasi për herë të parë do të kemi një trupë ushtarake të përhershme në Lindje, e cila do shkojë deri në 300 mijë trupa.
Por ditët e fundit janë dhënë sinjale se shtetet kufitare me Rusinë kanë nisur të mobilizohen për një luftë të mundshme.
“El Mundo” ka zhvilluar një reportazh në Finlandë dhe Suedi, ku ka parë nga afër se si banorët e të dyja shteteve po përgatiten për luftë, duke blerë rezerva karburanti e ushqimi.
Disa ekspertë theksojnë se qëndrimi që po adoptohet nga finlandezët dhe suedezët nuk është për shkak të frikës së tepruar. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Kopenhagenit dhe një studiues për sigurinë në rajonet nordike dhe baltike, Mikkel Vedby Rasmussen, shprehet: “Që Vladimir Putin të nisë një aksion ushtarak kundër një vendi në rajonin nordik nuk është absolutisht për t’u përjashtuar”.
Sipas tij, nga pikëpamja strategjike interesi i Rusisë në Finlandë nuk është irracional. Eksperti shprehet se nëse Kremlini dëshiron një përshkallëzim të konfliktit jashtë territorit ukrainas, ai ka dy opsione: të shkojë në vendet baltike ose të shkojë në Finlandë. “Ka mundësi që Rusia në një moment të përpiqet të pushtojë një ishull të vogël ose të krijojë probleme në kufirin ruso-finlandez”, shtoi ai.
Kreu i kërkimit në Institutin Finlandez të Punëve të Jashtme dhe një eksperte për politikën e jashtme ruse, Sinikukka Sari, gjithashtu pajtohet me Rasmussen: “Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë sepse Putini është i zënë me Ukrainën, por mund të ketë më vonë. Deri vonë, Rusia nuk ishte ndoshta fqinji më i lehtë, por ne kishim mësuar të jetonim me të dhe besuam se mund ta përballonim atë. Por, tani kemi parë se nuk është e mundur, kemi parë se pa bërë gjë mund të na ndodhë ajo që po ndodh në Ukrainë”.
Sa i përket Suedisë, kërcënimi më i madh mund të jetë në Gotland, një ishull 125 kilometra i gjatë që shtrihet 90 kilometra nga bregu. Studiuesja në Institutin Suedez të Politikës së Jashtme, Gunilla Herolf, saktëson se nëse Rusia do të donte të pushtonte vendet baltike, do të kishte nevojë për Gotland për shkak të vendndodhjes gjeografike. “Kjo është arsyeja pse Suedia në të kaluarën e ka lejuar NATO-n të kryejë stërvitje në ishull, duke përfshirë edhe sistemet raketore”, tha ajo.
Çekia patrullime mbi Sllovaki
Nga ana tjetër zhvillime ka pasur edhe në Sllovaki, shtet kufitar me Ukrainën. Duke filluar nga shtatori, Republika Çeke do të dërgojë avionë luftarakë për të patrulluar hapësirën ajrore të Sllovakisë fqinje, tha kryeministri çek, Petr Fiala. “Unë nuk shoh ndonjë problem. Qeveria me siguri do ta miratojë këtë”, tha ai.
Sllovakia më herët u kërkoi aleatëve të NATO-s që të patrullojnë qiellin e saj, pasi vendosi të ndalojë flotën e saj të avionëve luftarakë MiG-29 të prodhimit rus. Bratislava synon të dërgojë MiG në Ukrainë për të ndihmuar Kievin të luftojë pushtimin rus.