Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi arrestimin në SHBA të një ish-agjenti të FBI. Ky i fundit ka pasur takime me kryeministrin dhe emri i Ramës del në dosje. Mirëpo duket se kjo gjë e ka lënë pa fjalë kryeministrin, i cili ka bërë një reagim sporadik në rrjetet sociale, duke ju shmangur përgjegjësisë. Edhe pse duhet të sqaronte çfarë e lidh me zyrtarin e FBI, kryeministri nuk jep asnjë sqarim.
“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!
Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.
Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, shkruan Rama.
Por edhe pse kryeministrit i kanë shteruar fjalët, faktet tregojnë se Charles McGonigal, në vitin 2017 ka ardhur në Tiranë dhe është takuar me kryeministrin Rama. Ish-agjentit i janë paguar shpenzime te akomodimit në Tiranë, ndërkohë që në një bisedë ata kanë folur dhe mbi shpimet e naftës në vendin tonë. Ish-agjenti i FBI ka kërkuar nga Rama të bëjë kujdes nga kompanitë ruse, ndërkohë që ai ishte takuar me dy individë të tjerë që kishin interes të merrnin të drejtën për të bërë shpime nafte. Po ashtu, Rama ka marrë një pajisje speciale prej tij, që nuk dihet se çfarë është.
Pra kryeministri duhet të sqaronte sot se pse e takoi agjentin e FBI? Kush e shoqëronte atë? Cilat janë çështjet që ata diskutuan? Cila është pajisja që mori nga zyrtari i FBI? A u ndikua prej tij në çështjen e shpimeve të naftës dhe shumë çështje të tjera. Por si duket kryeministri e di atë shprehjen e amerikanëve se “çdo gjë që mund të thuash do përdoret kundër teje” dhe ka vendosur të bëjë një reagim sa për të larë gojën.