
Arrihet marrëveshja, ky është ekipi ku do të luajë Frenk Riberi sezonin tjetër
Një nga futbollistët më të mirë francezë të viteve të fundit, Frenk Riberi, sapo ka nënshkruar një marrëveshje për sezonin e ri. Ai do të vijojë të luajë me gjigandët gjermanë të Bundesligës, Bajernin e Mynihut. Sipas “Kicker”, 35-vjeçari dhe klubi bavarez kanë rënë dakord për rinovimin e kontratës edhe për një vit tjetër, që do të thotë se francezi po do të luajë sezonin e tij të 12-të në radhët e kampionëve të saposhpallur të Bundesligës. Është rënë dakord për të gjitha detajet dhe pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes së re, që do të skadojë më 30 qershor të vitit 2019.
Edhe pse Riberi e ka të qartë se në pozicionin e tij do të ketë më shumë hapësirë për të rinjtë Kingsley Coman dhe Serge Gnabry, ai e ka pranuar këtë fakt, për të dhënë kontributin e tij atëherë ku do ta shohë të nevojshme trajneri i ri. Veterani francez do të vijojë të luftojë për vendin e titullarit, por sigurisht duke respektuar edhe politikat e klubit me lojtarët e rinj.
Riberi mbërriti në vitin 2007 nga te Bajerni nga radhët e Marsejës. Me aktivizimin e tij ndaj Seviljas në Champions arriti në shifrën e 382 ndeshjeve me Bajernin, teksa ka shënuar 117 gola. Riberi arriti kulmin në vitin 2013 ku pretendoi të fitonte edhe Topin e Artë, por atë sezon dyshja Ronaldo e Mesi u vlerësuan më lart, një vlerësim që ngjalli debate pasi Riberi fitoi gjithcka me Bajernin atë sezon dhe kishte të drejtë të irritohej me zgjedhjen e fituesit. /Pamfleti Sport