Kosova17 Dhjetor 2022, 16:04

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka njoftuar të shtunën se Serbia ende nuk ka marrë përgjigje nga KFOR-i lidhur me kërkesën që ta lejojë dërgimin e forcave të sigurisë serbe në Kosovë.

“Deri në këtë moment nuk jam në dijeni se kemi marrë një përgjigje”, ka thënë Daçiç, duke shtuar se është e vështirë të diskutohet për një zgjidhje të përhershme me Kosovën.

Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten vendimin që t’i kërkojë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, ta lejojë dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë.

Këtë e konfirmoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Ai ka thënë se kërkesa do t’i dorëzohet KFOR-it qysh në mëngjesin e së premtes, teksa ka përsëritur se nuk sheh shanse që KFOR-i ta pranojë këtë kërkesë.

“Vendimi është marrë. Nesër në mëngjes, personalisht do ta dërgojmë te komandanti i KFOR-it kërkesën që një numër i caktuar, në qindra deri në mijëra, i forcave tona të kthehet në Kosovë”, ka thënë pas mbledhjes, Vuçiç

Ai pati arsyetuar këtë kërkesë duke u bazuar “në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar të premten se është duke shqyrtuar kërkesën e Serbisë për kthim të ushtrisë në Kosovë.

“Ne kemi marrë një letër nga Serbia dhe tani po e shqyrtojmë atë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Pamfletin.

Por, pse një kërkesë e tillë nuk do t’i pranohet Serbisë?

Sikurse ky vend, edhe NATO-ja dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, janë të vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe prej herave tjera kur një gjë e tillë nuk ishte lejuar, përkatësisht gjatë viteve 2003-2004, tashmë vendimi i GJND-së do të jetë arsye më e fortë që kjo gjë të mbetet vetëm një kërkesë e Serbisë që do të mbetet e parealizueshme.

Vendimi për Kosovën nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte përgjigje ndaj një kërkesë për një opinion këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Më 22 korrik 2010 ajo publikoi opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat del se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.

Prishtine Aleksandar Vuçiq Futja e trupave në Kosovë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë NATO Serbia ushtria serbe

Kosova