Politike27 Qershor 2018, 12:42

Arsyet pse Holanda i tha jo integrimit të Shqipërisë në BE

Shkruar nga Pamfleti
Arsyet pse Holanda i tha jo integrimit të Shqipërisë në BE

Arsyet pse Holanda i tha jo integrimit të Shqipërisë në BE

Holanda, vendi skeptik për hapjen e negociatave me Shqipërinë është stepur nga frika e përsëritjes së një gabimi të berë në kohën e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007. Gazeta ‘’De Volkskrant’’ shprehet se Holanda nuk ia ka mbyllur sytë.

Shqetësimi më i madh për Holandën janë punët e brendshme të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo media shkruan se Franca beson se BE fillimisht duhet të reformojë veten e saj; përpara se të shtohet me 30 shtete anëtare duhet të adaptojë rregullat e saj, për t’u bërë më deçizive. Me 28 vende anëtare dhe është shumë e vështirë për të treguar forcë, sipas francezëve.

Nga ana tjetër, ministri gjerman Roth u shpreh se Shqipërisë i duhet dhënë drita jeshile dhe theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë është esencial për stabilitetin në Ballkan.

“ Ne jemi përgatitur për të hapur dritën jeshile. Unë do t’i inkurajoja miqtë tanë në Holandë dhe Francë për t’u bashkuar me ne”, u shpreh ministri gjerman Roth.

Ai bëri propozimin që në prill të fillonin negociatat e anëtarësimit me të dy vendet. “ Nëse ne nuk hapim veten ndaj vendeve të një rajoni shumë të komplikuar dhe tragjik dhe nuk u ofrojmë perspektivën evropiane, atëherë shpërthen përsëri lufta si në vitet ‘90”, është shprehur Juncker në Parlamentin Evropian.

Propozimi i komisionit u mbështet jo vetëm nga Gjermania por gjithashtu nga Austria, Suedia, Italia, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia dhe Bullgaria. Ato janë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit: jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe për Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën. Anëtarësimi ka filluar të negociohet me Serbinë dhe Malin e Zi.

Rëndësia strategjike

Mbështetësit e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit nuk udhëhiqen vetëm nga frika e instabilitetit në Ballkan. Argumentet gjeopolitikë kanë peshë gjithashtu. Ata besojnë se BE duhet të angazhohet në këtë rajon me rëndësi strategjike për të parandaluar influencën e Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

Me kompromis, është përmendur një vit për negociatat e mundshme me Shqipërinë dhe Maqedoninë: Qershor 2019. Me kusht që të bëhet progres i mjaftueshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Stef Blok, është shprehur se ai shpreson që Shqipëria dhe Maqedonia të bëhen një ditë anëtarë të BE. Ato kanë bërë progres në përpjekjet e tyre për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. Por në të njëjtën kohë nuk janë ende atje. Premtimet dhe nxitjet fillestare nuk janë të mjaftueshme, duhet një periudhë më e gjatë progresi të qëndrueshëm në fushën e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit e krimit, është mesazhi i ministrit.

Politike ‘’De Volkskrant’' BE Holanda