Aktualitet11 Gusht 2022, 16:02

Arta Marku drejt katapultimit në Kushtetuese, KED lejon kandidimin; vijon verifikimi për Gent Ibrahimin

Shkruar nga Pamfleti
Arta Marku drejt katapultimit në Kushtetuese, KED lejon kandidimin; vijon

Ish-Kryeprokurorja Arta Marku duket se po shkon drejt katapultimit në Gjykatën Kushtetuese. Ajo hodhi kandidaturën dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi ka kryer verifikimet, ka lejuar kandidimin e saj duke vijuar me procesin e pikëzimit. Ndërkohë është skualifkuar nga gara kandidatja Eloda Take.

Një tjetër emër që lakmon Kushtetuesen është dhe ish-kreu i KLP, Gent Ibrahimi. KED ka vendosur që të vijojë procesi i verifikimit për të.

Njoftimi i KED

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, të përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, dhe përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e mërkurë datë 10 Gusht 2022, mbledhjen e e tij të radhës, sipas rendit të ditës së njoftuar në datë 03 Gusht 2022.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin nga kandidat e përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi edhe mendimin e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

1.Lejimin e kandidimit dhe vijimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Znj. Arta Marku, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës më datë 13.01.2022.

2.Ndalimin e kandidimit të Znj. Elida Take, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022.

3.Në lidhje me kandidaturën e Z. Gent Ibrahimi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të vijojë procedurën e verifikimit për kushtet dhe kriteret ligjore të kandidatit, për vakancën e shpallur nga Presidenti i Republikës.

Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen zyrtare ëeb të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Kandidati për të cilin është vendosur ndalimi, ka patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Në vijim të rendit të ditës, KED procedoi me fazën e intervistimit të kandidatëve, Znj. Holta Zaçaj, Z. Ilir Toska dhe Znj. Manjola Xhaxho, me gojë nga K.E.D., si edhe nga eksperti i caktuar, në funksion të verifikimit të nivelit të njohjes së gjuhës së huaj (anglisht).

KED do të vijojë mbledhjen e ditës së sotme, datë 11 Gusht 2022, ora 10.00, me procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të sipër cituar, për vendin vakant të shpallur nga Gjykata e Lartë në datat 21.02.2019, 19.04.2019, 03.06.2021 dhe 15.11.2021.

Aktualitet Arta Marku gent ibrahimi kushtetuese