Politike27 Tetor 2018, 12:23

Arta Marku vijon hakmarrjen ndaj ‘të pabindurve’, tjetër ndëshkim për prokurorin që nuk hetoi kolegët frikacakë

Shkruar nga Pamfleti
Arta Marku vijon hakmarrjen ndaj ‘të pabindurve’, tjetër

Arta Marku vijon hakmarrjen ndaj ‘të pabindurve’, tjetër ndëshkim për prokurorin që nuk hetoi kolegët frikacakë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka futur në veting një prej protagonistëve të sherrit të pak ditëve më parë mbi dosjen “Shullazi”. Bëhet fjalë për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani, i cili fillimisht u emëruar nga kryeprokurorja Arta Marku si drejtor i Drejtorisë së Inspektimit. Por që kur shpërtheu sherri për dosjen “Shullazi”, ai u dorëhoq. Sokol Stojani do të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancë dëgjimore në datën 30 tetor.

Ndërsa trupa që do të gjykojë Stojanin bazuar në tre kritere vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale, do të përbëhet Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari. “Subjekti: Sokol Stojani, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Seancë dëgjimore, dt. 30 tetor, ora 12:00 pm. Vendi: Rruga Kavajës, ish-godina e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe ​Artistëve” Tiranë. Trupi gjykues: Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari”, thuhet në njoftimin e KPK. Kujtojmë që kryeprokurorja Marku u përplas pak ditë më parë me disa prokurorë, pasi 10 prokurorë të Krimeve të Rënda refuzuan të marrin në dorë dosjen ndaj Emiliano Shullazit.

Sinjalet ishin se 10 prokurorët e Krimeve të Rënda ishin trembur nga dosja e Emiljano Shullazit. Ndonëse kemi të bëjmë me organin që duhet të godasë krimin e organizuar, më 20 shtator ka ndodhur një situatë e paprecedentë, pasi që të 10 prokurorët kanë deklaruar se nuk mund të marrin në dorë këtë dosje. Ndërkohë që për këtë arsye, kryeprokurorja e Përgjithshme, Arta Marku kërkoj hetim ndaj tyre, kërkesë këtë që ia paraqiti prokurorit Stojani, i cili refuzoi të hetojë kolegët, duke u dorëhequr nga posti që mbante.

Komisioneri kërkon shkarkimin e Malajt

Komisioneri Publik ka ankimuar dje vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, për gjyqtarin Artur Malaj, i cili mban postin e gjyqtarit pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë. Pak kohë më parë gjyqtari Malaj u rikonfirmua në detyrë nga KPK, por Komisioneri nuk është dakord me këtë vendim. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit për rastin konkret, Komisioneri në një njoftim të shpërndarë për mediat thekson se nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht pronat dhe pasuritë që posedon së bashku me familjarët e tij-shkruan ‘Sot’.

Për këtë arsye i kërkon Kolegjit të Apelimit shkarkimin e tij. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim apo posedim të tij dhe të personave të tjerë të lidhur me të, si dhe nuk ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave të krijimit të tyre nga personat e tjerë të lidhur, me qëllim arritjen e një niveli të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, sipas nenit 59/1, të ligjit nr. 84/2016.

Komisioneri Publik, në zbatim të kompetencave të njohura dhe në konsideratë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në përfundim të gjykimit të çështjes në seancë publike të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, z. Artur Malaj”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.

Politike Arta Marku stojani