Aktualitet14 Nëntor 2022, 13:26

Artan Hoxha: Hakerat na kanë shpartalluar, të ishte diku tjetër do të bëhej nami

Shkruar nga Pamfleti
Artan Hoxha: Hakerat na kanë shpartalluar, të ishte diku tjetër

Hakerat e Iranit kanë publikuar gjatë mbrëmjes së djeshme  e-mailet e drejtorit të SHISH, Helidon Bendo me të tretët duke zbuluar detaje të rëndësishme në lidhje me rrjetin agjenturor të vendit.

Lidhur me këtë, Artan Hoxha thotë se rrjedhja e këtyre të dhënave rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e punonjësve të SHISH si edhe të personave që punojnë për sigurinë e vendit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

“Kjo ka dëmtuar rrjetin agjenturor të vendit dhe unë kam thënë edhe më parë që SHISH duhet të rindërtojë rrjetin a agjentëve pasi tani janë zbuluar të gjithë”, tha Hoxha.

Gazetari theksoi se askush deri më tani nuk ka mbajtur përgjegjësi për rrjedhjen e të dhënave dhe sulmin kibernetik ndaj rrjeteve tona, përmes të cilës hakerat morën çfarë deshën.

“Ore si ka mundësi që u bën muaj që ata publikojnë të dhëna dhe këtu askush nuk reagon. Do mbajë dikush përgjegjësi në këtë vend?! Po si ka mundësi që na kanë shpartalluar dhe askush nuk mban përgjegjësi për diçka kaq të madhe që ka ndodhur?!”, tha Hoxha duke shtuar se në vende të tjera për shembull, siç është Greqia, një listë e personave të përgjuar ka shkaktuar tërmet në opinionin publik.

“Nuk po bëjmë asgjë në këtë drejtim dhe po i lejojmë armiqtë tanë që të na dëmtojnë edhe më tepër”, tha Hoxha.

Aktualitet Artan Hoxha Harerat