Aktualitet 1 Qershor 2018, 10:11

Artan Lame ”shkel me dy këmbët” ligjin, krahu i djathtë i Edi Ramës mendon për pasurimin vetiak duke shpërndar

Shkruar nga Pamfleti
Artan Lame ”shkel me dy këmbët” ligjin, krahu i

Artan Lame ''shkel me dy këmbët'' ligjin, krahu i djathtë i Edi Ramës mendon për pasurimin vetiak duke shpërndarë legalizime fiktive

Janë të paktën 1660 raste në Tiranë dhe 375 raste në Korçë, kur ALUIZNI ka filluar procedurat e legalizimit të shtëpive dhe objekteve pa leje, pa u paguar më parë taksa e ndikimit në infrastrukturë. Ligjërisht kjo është një shkelje, pasi ligji e ndalon. Por qeveria ka miratuar një vendim që e krijon këtë mundësi.

Përplasja ligjore i ka shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit në këto raste prej rreth 70 milionë lekëve ose rreth 700 mijë USD. Duket si përplasje e habitshme, por është reale dhe zgjidhja që propozohet pritet të prekë të gjithë ata që kanë një shtëpi apo biznese pa leje dhe duan t’i legalizojnë. Dhe këta të fundit janë mbi 200 mijë në të gjithë Shqipërinë. Zgjidhja ligjore, që propozon Kontrolli i Lartë i Shtetit, është pagesa me detyrim e taksës së ndikimit në infrastrukturë, para se të legalizohet prona.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë është nga 4 deri në 8 për qind të vlerës së tregut të sipërfaqes së ndërtimit të ri. Por në ligj parashikohet që për legalizimet kjo taksë të jetë e diferencuar: “Për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit”. Pra, është shumë më e ulur. Por sërish është një taksë, që sipas ligjit duhet paguar. Në një shtëpi me një investim prej 10 milionë lekësh, kjo taksë është 50 mijë lekë.

ÇFARË KONSTATON KLSH

Shifrat e mësipërme janë nxjerrë nga raporti i fundit i KLSH-së. Ky raport kërkon që “Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës t’i propozojë Këshillit të Ministrave të ndryshojë pikën 5, të VKM-së nr. 860, datë 10.12.2014 “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit së të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”.

Kjo pikë e vendimit parashikon që: “Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarë- sisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore”. Ndërkohë që ligji, i cili prevalon mbi vendimin e qeverisë, parashikon që dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e ndërtimit informal përfshin: “Vërtetimin për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha rastet, kur subjekti nuk përjashtohet nga pagesa e taksës sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi”. Pra, ligji thotë që nuk mund të legalizohesh pa paguar taksën, ndërsa vendimi thotë që legalizohesh, por taksën duhet ta paguash në bashki.

ÇFARË KA NDODHUR

Si shkak i kësaj përplasjeje juridike ka ndodhur që ALUIZNI të ketë dhënë leje dhe taksa të mos jetë paguar. “Nga auditimi i zbatimit të procedurave të legalizimit të objekteve/shtesave anësore dhe në lartësi pa leje, ka rezultuar se Drejtoritë e ALUIZNIt, pasi kanë lëshuar lejet e legalizimit, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, kanë dërguar pranë Njësive të Qeverisjes Vendore vetëm shkresën me të dhënat për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë më parë konfirmimin e kryerjes së kësaj pagese”, thuhet në raport.

Rastet që ka zbuluar KLSH-ja janë në: “Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana nr. 2, në 1660 raste në kualifikimin e objekteve informale, ALUIZNI ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 32,385,690 lekë; Në drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Qarku Korçë, në 375 rastet në kualifikimin e objekteve informale, ALUIZNI ka dërguar pranë Bashkive në rang Qarku vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 38,506,651 lekë”.

SI DO RREGULLOHET

KLSH-ja propozon ndryshimin e vendimit të qeverisë dhe bërjen e detyrueshme të pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë para marrjes së legalizimit. Pra, KLSH propozon që ALIZNI të njoftojë bashkitë për familjet që janë në proces legalizimi dhe këto familje do të legalizohen vetëm pasi të kenë paguar në bashki taksën e ndikimit në infrastrukturë. “Në momentin e lëshimit të lejes së legalizimit, të administrohet në dosjen e objektit informal vërtetimi mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë”, thuhet në rekomandimin e KLSH-së.

NDRYSHIMI I PROPOZUAR

ISHTE: “Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006,”Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar. Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi”

BËHET: Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006,”Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

DREJTORITË E ALUIZNI-T: a- Për zbatimin e kësaj pike, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore të dhënat e ndërtimeve, që do të pajisen me leje legalizimi. b- Në momentin e lëshimit të lejes së legalizimit të administrohet në dosjen e objektit informal vërtetimi mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë./Panorama

 

 

Aktualitet ALUIZNI KLSH legalizimi i shtëpive