
Artur Zheji sulmon kryeministrin Rama: Ke blerë mediat, ja pse i trembësh bashkimit Fevzi- Blushi
Lajmi se Blendi Fevziu do të transferohet në Top Channel ka prekur thuajse të gjitha mediat dhe analistët në vend.
Pasi ky lajm pushtoi thuajse çdo portal të mundshëm e hapësirë mediatike, ka reaguar edhe gazetari Artur Zheji, dikur një mik me kryeministrin Rama.
Zheji sot mendon se bashkimi mes Ben Blushit dhe Blendi Fevziut e tremb kryeministrin, pasi ky bashkim nënkupton fuqizimin e “miqve të dikurshëm besnikë” të Ramës.
Sipas tij, Rama sapo erdhi në pushtet u fokusua të “zbuste” median më kundërshtuese të tijën, Tv Klanin.
Duke i analizuar marrëdhëniet aktuale të kryeministrit me mediat në fjalë, Zheji shprehet se ky i fundit sheh përmbysjen e mjaft ekuilibrave të favorshëm mediatikë.
Më poshtë shkrimi i plotë i Artur Zhejit, botuar në portalin që drejton.
Shkruan Artur ZHEJI
Në xhunglën pa rregulla të shoqërisë shqiptare, ku të gjithë kanë dhënë një dorë të mirë, ka gjithsesi një rregull: “Peshku i madh e ha të voglin”, pavarësisht ligjeve ose organeve ligjzbatuese.
Sepse ligjet dhe zbatuesit e tyre vlejnë për milingonat dhe urithët e vegjël të xhunglës, por jo më lartë se aq.
Top Channel e ka ndihmuar dhe mbështetur Ramën në shumë çaste të jetës së vet politike, që nga fillesat e veta, edhe kur ishte Tani edhe kur ai u largua furishëm nga kjo botë.
Mirëpo mbasi u bë kryeministër në 2013, ish armiqtë e Tv Klan u joshën me kënaqësi të madhe prej tij, duke lënë në harresë vëmendjeje dhe jo vetëm “miqtë besnikë” të Tch.
Në të vërtetë kjo është sindroma e kryeministrave socialistë, joshen të duan dhe të tërheqin pas vetes kur vijnë në pushtet më shumë ata që kanë pasur kundërshtarë, sesa ata që i kanë në “xhep” si miq besnikë dhe si kundërshtarë të vendosur dhe të pakthyeshëm të kundërshtarëve të tyre.
Lëvizja e zgjuar dhe e guximshme e zonjës Hoxha me “blerjen” si drejtor të Tch të kundërshtarit të Ramës, Ben Blushit, gazetar tashmë i vjetër, dha padyshim tronditjen e parë të ekuilibrave mediatikë në Shqipëri.
Lëvizja e dytë erdhi jo shumë më vonë: Një projekt 50-vjeçarë, “Beni-Blendi”, për të shkundur fort ekzistencializmin e tyre në 10-vjeçarin e ardhshëm kulmor, të moshës së burrave, pak përpara fillimit të perëndimit, që natyra dikton dhunshëm mbi të gjithë ne.
Të gjithë kanë rendur te Fevzo, përfshirë edhe Ramën e Gjatë, që di kaq mirë të përkulet kur ia lyp halli, për t’i thënë: “Mos! Mos e prish këtë ekuilibër se jemi shumë mirë kështu…”
A thua se jeta e njeriut është pafundësisht e gjatë dhe sikur ajo është një film që mund të ripërsëritet, dhe skena të caktuara të mund të xhirohen edhe njëherë nga e para…
Dhe kështu, Fevziu gjendet tani në udhëkryq, ndërmjet një sfide pasionante me Blushin, një betejë “orgazmike” opozitare kundër establishmentit të Ramës dhe një rutine me Tv Klan.
Në të vërtetë, “lëvizja” e Fevzos, që disa e qesëndisin dhe e ironizojnë dhe disa të tjerë e analizojnë, ka sjellë një shqetësim real dhe të arsyeshëm të kryeqeveritarit Rama, që sheh përmbysjen e mjaft ekuilibrave të favorshëm mediatikë, si mbas reaksionit shkak-pasojë, të cilat hyjnë në spirale të panjohura dhe turbulluese për ruajtjen e pushtetit dhe të kontrollit të tij për mediat dhe ndaj mediave.
Gjithsesi trendi i sfidave ekzistenciale nuk shmanget.
Kryeqeveritari kësaj i trembet. Me të drejtë kësaj rradhe.