Politike13 Maj 2022, 13:22

“Asnjë vendim non-grata nuk kthehet”/ Berisha: Yuri Kim të mos ndërhyjë në punët e brendshme, po bën fushatë kundër meje

Shkruar nga Pamfleti

Deputeti Sali Berisha ka reaguar në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikan në Tiranë, Yuri Kim, e cila tha se asnjë vendim ‘non grata’ nuk është ndryshuar.

Ish-kryeministri e cilëson si fushatë elektorale kundër ndaj tij në prag të zgjedhjeve në PD, deklaratën e ambasadores Yuri Kim, e cila tha se SHBA-të nuk do të kishin marrëdhënie me këtë forcë politike nëse ai zgjidhet në krye.

Gjatë një konference për mediat nga selia blu, Berisha i bëri thirrje SHBA-ve që të mos lejojë Kim-in që të ndërhyjë në punët e brendshme të PD-së.

Sipas tij, diplomatja amerikane po bën përpjekje për të caktuar kryetarin e opozitës.

“Fushatë elektorale kundër Sali Berishës në prag të garës së tij për kryetar të PD. Kaq  është komenti im. Unë i bëj thirrje qeverisë së SHBA dhe Biden të mos lejojë përfaqësuesen e qeverisë së tij të ndërhyjë në punët e brendshme të partive politike.  Veçanërisht përpjekjet e paimagjinueshme për të caktuar kryetarin e opozitës shqiptare të partisë konservatore shqiptare.”, tha Berisha.

Ju rikujtojmë se ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi mbrëmjen e djeshme se në rreth 200 persona të cilët janë shpallu “non grata” nga DASH asnjë vendim ndaj tyre nuk është kthyer.

Më 22 maj, PD do të zgjedhë kreun e ri të PD-së. Përballë Sali Berishës garon Ibsen Elezi.

Politike