Kosova 1 Shkurt 2023, 08:56

Asociacioni, kurthi i rrezikshëm për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Asociacioni, kurthi i rrezikshëm për Kosovën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një kurth të cilin e kanë nënshkruar para 10 vjetësh, ndërsa tani po tentohet që të jetësohet kjo marrëveshje përmes atij që e ka kundërshtuar më së shumti, kryeministrit Albin Kurti.

Pacolli ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar dhe do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë marrëveshje.

“Ne kemi pasur raste kur Kosovës iu ka prezantuar që duhet të pranojë dhe të nënshkruajë Demarkacionin me Malin e Zi nëse dëshiron t’i marrë vizat. Në Kuvend është ratifikuar marrëveshja për Demarkacionin, ka humbur mbi 8200 hektarë tokë, ka humbur burime natyrore, burime ujore, hapësira turistike dhe nuk e ka marrë liberalizimin e vizave. Kjo ka qenë një padrejtësi dhe një presion jokorrekt dhe një arsyetim i qeverisjes në atë kohë që ta bëjmë Demarkacionin dhe të mos bllokohemi. Kosova ka bërë disa hapa të tillë dhe në kthim nuk ka marrë asgjë në krahasim me shtetet tjera, me shtetin serb. Ne insistojmë dhe do të vazhdojmë të insistojmë që t’ia tregojmë edhe bashkësisë ndërkombëtare që të gjejmë një zgjidhje që funksionon për gjithë, jo një zgjidhje që fillimisht mendojmë se do t’i zgjidhim problemet por ajo do të na fusë në një kurth nga e cila nuk do të dimë se si do të dalim. Tashmë jemi në një kurth, ajo e Asociacionit. Të kujtojmë që Asociacioni është nënshkruar para 10 vjetësh nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, pastaj pas dy vitesh nga Isa Mustafa, ndërsa tani po tentojnë që përmes Vetëvendosjes, përmes kryeministrit që e ka kundërshtuar më së shumti, ta jetësojnë një marrëveshje. Ne e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë marrëveshje. Dhe vazhdojmë të insistojmë në atë se çfarë po themi që kemi të drejtë”, ka thënë ajo.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton formimin e një Asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.

Prishtine Asociacioni i Komunave me shumicë serbe Kosova