
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket se e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë Asociacionin e komunave serbe. Ai është shprehur hapur se do t’i rezistojë çdo përpjekjeje të Perëndimit për “shantazh” që lidhet me afatin e fundit për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
Në një intervistë për “AFP”, Kurti ka deklaruar se Kosovës po i kërkohet të arrijë një marrëveshje me Serbinë brenda marsit, pavarësisht se ka shumë pengesa në këtë mes.
“Pengesa jonë më e madhe është këmbëngulja dhe kërkimi i Beogradit për një makinë kohe. Ata duan të kthehen në kohë dhe kjo nuk është e mundur. Kosova është shtet i pavarur dhe do të jetë edhe më mirë edhe për Serbinë ta njohë Kosovën”, tha Kurti, duke shtuar se një hap i tillë do ta lehtësojë integrimin e Beogradit në Bashkimin Evropian.
Kurti këmbënguli se barra i takon Serbisë, të cilën ai e quajti një “autokraci” që ka nxitur lidhje të ngushta me Kremlinin në Rusi dhe vazhdon të destabilizojë Evropën Juglindore. Sipas tij, Asociacioni do t’i jepte Serbisë një enklavë tjetër etnike në rajon që mund të përdoret për të minuar qeverinë e tij.
“Ne nuk mund të shantazhohemi. Nuk mund të kemi frikë. Ne jemi njerëz të guximshëm dhe ajo që kërkojmë është trajtim i drejtë, barazi dhe njohje reciproke. Nuk është fer të bëhet presion mbi vendin më pro-evropian, pro-amerikan dhe demokratin në Ballkanin Perëndimor. Ky presion duhet të jetë mbi Beogradin”, tha kryeministri i Kosovës.
BE e SHBA e kanë bërë të qartë se pa miratuar Asociacionin nuk do ketë plan franko-gjerman dhe duket se tani Kurti është mes 4 zjarreve.