Editorial23 Janar 2023, 10:17

Asociacioni, "kutia e Pandorës" për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Asociacioni, "kutia e Pandorës" për Kosovën

Albin Kurti

Si palë e tretë ndërmjetësuese, BE dhe SHBA këmbëngulin që Asociacioni duhet të formohet, por pa dhënë detaje publikisht për rrugën teknike si do të realizohet marrëveshja.

Teksa Kosova vazhdon të fokusohet në njohjen reciproke dhe anëtarësimin në institucionet kyçe si BE, Këshilli i Europës dhe NATO-ja, ndërkombëtarët dhe Serbia mbeten të fokusuara në krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Bazuar në një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2013, Asociacioni është krijimin e një strukture paralele me qeverinë e Prishtinës, që do të funksiononte në Kosovë dhe do të përfshinte serbët etnikë nga komunat me shumicë serbe.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë mbetet ndër pikat më të vështira për t’u zgjidhur mes dy vendeve.

Ngërçi kushtetues rreth formatit të tij, kundërshtitë e ashpra ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dallimet mes partnerëve ndërkombëtarë, si edhe rreziqet e mundshme rreth aspekteve ligjore të kësaj bashkësie, e bëjnë Asociacionin jo vetëm temën vendimtare, por edhe më të vështirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kriza dhe barrikadave të ngritura në veri të Kosovës, e cila karakterizoi mbylljen e vitit 2022 mes Kosovës dhe Serbisë gjithashtu kishte si plan të parë  Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, një pikë e fortë presioni nga Beogradi që Prishtina kërkonte me çdo kusht ta shmangte.

Më 21 dhjetor të 2022, presidenti serb Aleksandër Vuçiç përmendi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si zgjidhje të situatës. “Fillimisht Asociacioni i Komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha ai.

Asociacioni dhe rrethi vicioz i marrëveshjes

Marrëveshja Kosovë-Serbi për Asociacionin në radhë të parë përbën edhe një bllokim institucional.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë deklaruar qartë se marrëveshja është jokushtetuese.

Ndërsa Serbia mban një qëndrim të palëkundur dhe agresiv për formimin e Asociacionit, duke e shpërfillur ekzistencën e çdo institucioni të Kosovës.

Si palë e tretë ndërmjetësuese, BE dhe SHBA këmbëngulin që Asociacioni duhet të formohet, por pa dhënë detaje publikisht rrugën teknike si do të realizohet marrëveshja.

Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës theksojnë se marrëveshja në fjalë është obligim ligjor i detyrueshëm për këtë vend.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjykoi në dhjetor të vitit 2015 se 23 pika të Marrëveshjes së Asociacionit nuk ishin në pajtim me kushtetutën e vendit.

Ky është argumenti qendror rreth të cilit Prishtina e arsyeton dhe mbështet ngërçin institucional për themelimin e kësaj bashkësie që ndërkombëtarët e kërkojnë me ngulm.

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës e kishte ratifikuar në parim këtë marrëveshje që në qershor të vitit 2013, me 2/3 e deputetëve. Por, Statuti i Asociacionit nuk kaloi asnjëherë për votim, për shkak të papërputhshmërisë kushtetuese.

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian përmendin shumicën e cilësuar parlamentare në votimin në parim të marrëveshjes si argument domethënës për zbatimin e saj, prej nga mund të arsyetohet që nga pikëpamja legjislative kjo është e njëjta shumicë që ka fuqi të ndryshojë edhe Kushtetutën e Kosovës, duke i hapur rrugën zbatimit të marrëveshjes.

Asociacioni, kutia e Pandorës për Kosovën

Mund të ketë më shumë se një arsye përse sugjerimi europian për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës paraqitet një ide me implikime të shumta dhe pasoja të paparashikueshme. Nga njëra anë – të paktën sipas interpretimeve në Prishtinë – vetë krijimi i institucioneve njëetnike është jokushtetues.

Ndaj, edhe për t’i hapur rrugën vetë themelimit të një bashkësie të institucionalizuar ku kriteri kryesor është etnia, do të duhej që të ndryshohej së paku ajo pikë e kushtetutës.

Këtu pra fillon pikënisja e një problemi më të madh. Duke marrë parasysh se janë 23 pika në Statutin e Asociacionit që janë të papajtueshme me Kushtetutën e Kosovës, çdo hap drejt çfarëdo ndërhyrjeje në dokument mbart rrezikun e rrjedhojave të paparashikueshme. Nëse ndryshohet një pikë, përse jo edhe një tjetër? Ku është kufiri i ndryshimeve përtej të cilit nuk shkohet? A do të kishte më një kufi?

Një prej problemeve më të dukshme mund të jetë edhe vetë precedenti i ndryshimit të kushtetutës, si diçka që mund të kërkohet të ndodhë sërish kur ekziston çfarëdo presioni madhor. Në fakt, ndryshimi i kushtetutës për hir të Asociacionit është një subjekt aq i ndjeshëm dhe jopopullor, sa edhe vetë BE-ja e ka ngritur si mundësi, por pa e përqafuar në formën eksplicite të një qëndrimi zyrtar.

Prej këtej, mbetet e paqartë dhe është temë e një diskutimi më të madh që po ndodh kryesisht larg syve të publikut të gjerë, sesi mund të materializohet një bashkësi e tillë pa prekur kushtetutën.

BE dhe SHBA nuk janë në një ide

Teksa BE-ja dhe SHBA-ja njëzëri i kërkojnë Kosovës krijimin e Asociacionit, ata kanë dallime mbi themelin ligjor të marrëveshjes.

Komisioni Europian priret që ta shmangë diskutimin proaktiv mbi ngërçin kushtetues të Asociacionit, dhe e vendos theksin me këmbëngulje te zbatimi i marrëveshjes, duke mos e parë si pengesë reale faktin që ajo paraqitet antikushtetuese.

Në tetor të vitit 2020, duke adresuar argumentimin e palës kosovare mbi papajtueshmërinë kushtetuese të Marrëveshjes së Asociacionit, Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, vlerësoi që ky shqetësim ishte i tejkalueshëm.

“Kushtetuta nuk është Bibla”, tha ai teksa kërkoi që marrëveshja duhej reflektuar edhe në kushtetutë.

Ndërsa SHBA ka pikëpamje të ndryshme.

“Më duhet të jem i qartë, kjo nuk është një marrëveshje që do t’i përngjajë Republikës Srpska”, tha Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Në një intervistë për televizionin serb N1, më 19 janar të këtij viti, Chollet theksoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet formuar duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

Qëndrimi amerikan mbi kushtetutshmërinë e Asociacionit paraqitet i qëndrueshëm.

“Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, ka deklaruar i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së Gabriel Escobar .

Udhëkryqi i Albin Kurtit për marrëveshje

Historia e bllokimit kushtetues fillon në tetor të vitit 2015, kur Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje. Arsyeja se përse Presidentja ndërmori këtë hap, ishte dalja nga kriza politike dhe zhbllokimi i punës së Kuvendit. Opozita e kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshtonte me forcë disa prej marrëveshjeve të Brukselit, kishte pamundësuar aktivitetin parlamentar në vend.

Asociacioni, i etiketuar me konotacion përkeqësues nga Vetëvendosje, me termin serbisht “Zajednica”, qëndronte në qendër të këtyre kundërshtive, që u materializuan deri në hedhjen e vazhdueshme të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.

Albin Kurti, i cili në opozitë arriti ta frenojë të paktën përkohësisht zbatimin e marrëveshjes, sot drejton qeverinë e Kosovës. Drejt presionit për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme me Serbinë, ku krijimi i Asociacionit mbetet kusht i pandarë, atij do t’i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë, dhe për të cilën ende nuk janë artikuluar zgjidhje konkrete./ Pamfleti

Editorial "kutia e Pandorës" për Kosovën Asociacioni