Kronike16 Dhjetor 2022, 17:40

Atentat në Tiranë, 49-vjeçari ekzekutohet me 9 plumba brenda në lokal

Shkruar nga Pamfleti
Atentat në Tiranë, 49-vjeçari ekzekutohet me 9 plumba brenda

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në Tiranë, ku një 49-vjeçar është ekzekutuar brenda në një lokal.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Selitës, ndërkohë që viktima është identifikuar si Edomd Papaj.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fadil Bodinaku” në brendësi të një lokali, ku 49-vjeçari është qëlluar disa herë me plumba pistolete. Ai mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë në spital.

Rreth orës 16.30, në rrugën “Fadil Bodinaku”,  në lokalin në pronësi të shtetasit V. Sh., një person ende i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin E. P.,  49 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas burimeve, viktima është me origjinë nga Fieri, por banues në Sarandë. Ai është qëlluar me 9 plumba pistolete. Policia po heton mbi shkaqet e ngjarjes dhe një pistë që po hetohet është ajo e konfliktit për pronat. Mësohet se ai rezulton pronar i disa pronave dhe një hoteli luksoz në Ksamil. Ndërsa një tjetër pistë është ajo e aktivitetit kriminal jashtë vendit për trafik droge.

Ndërkohë, shefi i Komisariatit numër 2 në Tiranë, Edmond Pjetri në një prononcim për media është shprehur se policia është duke hetuar rrethanat e ngjarjes.  “Është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Edmond Papaj. Ka ndërruar jetë prej plagëve të marra në spital. Ishte banues në Sarandë. Policia është duke hetuar rrethanat e ngjarjes”, tha ai.

Kronike Atentat Tiranë