
Ditën e sotme do të zhvillohet në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca ndaj 5 personave të arrestuar në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe mikut të tij, Aleksandër Laho.
Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri do dalin ditën e sotme para gjykatës për të verifikuar masën e tyre të sigurimit.
Në lidhje me këtë ngjarje janë të shpallur në kërkim katër persona. Ata janë Plarent Dervishaj, Julian Meçaj e Ramazan Rraja.
Personi i katërt i shpallur në kërkim është Dritan Shkëmbi. Ishte parashikuar që seanca të zhvillohej prej orës 9:00, por nuk ka nisur ende.
Prokurorët e SPAK kanë kërkuar nga avokatët e të arrestuarve që të firmosin një dokument për ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos dalë asnjë detaj nga ajo që do të flitet në seancë.
Kujtojmë që në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj.
Mbi 3 vjet nga atentati ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, Aleksandër Lahos dhe shoferit të ish-prokurorit, Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë, Prokuroria e Posaçme thotë se ka mundur të hedhë dritë përfundimisht mbi ngjarjen. SPAK bëri të ditur se atentati në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.
Në rolin e qitësit, SPAK thotë ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në këtë makinë të përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj. Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen. Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 5 prej të cilëve janë arrestuar në operacionin e fundit të SPAK dhe policisë.
SPAK e hetoi çështjen në një procedim të veçuar nga ai i Redjan Rrajës dhe Ariol Halilajt dhe thotë se ka siguruar prova që këta persona janë të përfshirë në atentat nëpërmjet përgjimeve dhe bashkëpunimit me persona të tjerë nën hetim. Gjatë operacionit të zhvilluar nga Policia e Shtetit me kërkesë të SPAK, në 11 banesa u ushtruan kontrolle dhe sekuestruan armë, jelekë antiplumb dhe 50 kontrata shit-blerje pronash.
Për shkak se 4 personat e shpallur në kërkim, sipas SPAK janë jashtë vendit është bashkëpunuar me autoritete e huaja me qëllim arrestimin dhe po punohet për ekstradimin e tyre. Gjithashtu, SPAK gjatë këtyre hetimeve ka bashkëpunuar edhe me autoritetet franceze, për tërheqjen e disa akteve, për të cilat për shkak të sekretit hetimor nuk janë bërë të njohura. SPAK po ashtu nuk bën të ditur se kush ka qenë shënjestra e atentatit dhe as motivin e tij.