Kronike29 Mars 2022, 22:40

Atentati ndaj Talo Çelës, policia arreston të shumëkërkuarin Nuredin Dumani

Shkruar nga Pamfleti
Atentati ndaj Talo Çelës, policia arreston të

Policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të atentatit në Elbasan. Mësohet se në pranga është vendosur Nuredin Dumani, një emër shumë i njohur i botës së krimit.

Sot në aksin Elbasan-Peqin ndodhi një atentat ku u qëllua ndaj një makine në lëvizje. Më vonë u zbulua se në atë automjet ndodhej i shumëkërkuari Talo Çela. Ky i fundit dyshohet se mbeti i plagosur, por u largua nga vendi i ngjarjes. Autor dyshohet se ka qenë Dumani, një rival i vjetër i Çelës, pasi dyshohet se i ka vrarë të vëllanë.

Arrestimi i tij është kryer në qytetin e Fierit. Pas të shtënave me armë në Elbasan, RENEA është vënë në ndjekje të tij dhe në bazë të informacioneve u zbulua se ndodhej në një apartament në Fier. Në mbrëmje forcat policore kanë kryer një operacion blic dhe dyshohet se u arrestua Dumani.  Dëshmitarët kanë parë dhe një autoambulancë pranë pallatit ku u krye operacioni, ndërsa mësohet se ka pasur një telefonatë nga spitali i Fierit për një të plagosur. Dyshohet se nga shkëmbimi i zjarrit në Elbasan, Dumani të jetë plagosur.

Kush është Nuredin Dumani?

Nuredin Dumani, akuzohet se rezulton i implikuar në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, ku u vranë Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli. Po ashtu  thuhet se ka bashkëpunuar me Talo Çelën, e më pas i ka ekzekutuar të vëllanë, për arsye ende të paqarta.

Kush është Talo Çela?

Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi ish-Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu ky ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit Haxhia në Durrës. /Pamfleti/

Kronike #Dumani Atentat Çela