Politike26 Shtator 2018, 09:07

Athina ‘gropos’ Metën, Presidenti tentativë për të ‘hedhur në erë’ paktin detar, letër në Brukse

Shkruar nga Pamfleti
Athina ‘gropos’ Metën, Presidenti tentativë për

Athina 'gropos' Metën, Presidenti tentativë për të 'hedhur në erë' paktin detar, letër në Bruksel dhe Uashington

Greqia ka rritur tensionet ndaj Presidentit shqiptar, Ilir Meta, i cili po mban peng paktin detar. Qeveria ja ka dorëzuar paktin Metës, në mënyrë që të japë autorizim, që pakti të shkojë në Parlament, por ky i fundit nuk ka bërë asnjë lëvizje, duke bllokuar marrëveshjen.

Për mediat greke, është duke u zhvilluar një luftë e ashpër mes presidentit Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Gazetari i njohur grek Sotiris Sideris, përmes një shkrimi në gazetën “Omega Press”, ka dhënë detaje mbi negociatat për kufirin detar. Ai ka deklaruar se sipas burimeve, presidenti Ilir Meta e ka nxjerrë përtej kufirit sherrin me Ramën. Sipas tij, presidenti u ka dërguar nga një letër përfaqësive ndërkombëtare, ku ka shprehur një sërë problematikash për paktin me Athinën. “Megjithatë, sipas burimeve zyrtare, edhe nëse marrëveshja është nënshkruar, ajo ende rrezikon të tronditet në ajër, pasi situata në Shqipëri është eksplozive rreth kësaj çështjeje. Këtë herë është opozita e Partisë Demokratike dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta që minojnë marrëveshjen.

Sipas burimeve zyrtare, ‘Sot’ shkruan se Ilir Meta refuzon të japë miratimin zyrtar për nënshkrimin e marrëveshjes siç parashikohet në Kushtetutë. Jo vetëm këtë, por kohët e fundit ai i dërgoi letër ambasadës amerikane, Gjermanisë dhe Komisionerit Johannes Hahn, ku sulmon qeverinë e tij për negociatat me Greqinë”, thuhet në letër. Më tej deklarohet se pala shqiptare kërkon heqjen e zonave të pakicave, pasi sipas tij, pakicat kudo që jetojnë kanë të drejtat e parashikuara nga e drejta ndërkombëtare dhe vazhdojnë të kultivojnë identitetin e tyre përmes librave shkollorë.

Ngërçi i Kushtetueses

Sipas burimeve të gazetës, arsyeja që Meta nuk po firmos paktin detar është mungesa e konsensusit mes negociatorëve. Ksenofon Krisafi nuk e ka firmosur marrëveshjen, pasi ka shumë rezerva për të. Krisafi u propozua nga Meta si negociator dhe kreu i shtetit beson se ai ka të drejtë. Për këtë arsye ka kërkuar që negociatorët të bisedojnë me njëri-tjetrin për të gjetur gjuhën e përbashkët. Por 12 emrat e tjerë deklarojnë se janë korrekt dhe kjo ka sjellë përplasje.

Por sipas medieve greke, Meta është duke pritur Gjykatën Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk funksionon për një kohë të gjatë, kështu që tashmë ekziston arsyeja e parë për anulimin e një marrëveshjeje të mundshme me Greqinë. Burimet diplomatike supozojnë se edhe nëse ka marrëveshje, pas zgjedhjeve, në qoftë se opozita fiton do të kthehemi përsëri në Gjykatën Kushtetuese me qëllim rrëzimin e saj. E gjithë kjo konfirmon edhe një herë gabimin e madh të qeverive greke, duke përfshirë atë aktuale, për mosvotimin e marrëveshjes së 2009.

Duke pasur parasysh këtë, ekziston çështja se cili do të jetë qëndrimi i qeverisë greke për fillimin e negociatave të pranimit të Shqipërisë nëse nuk ka marrëveshje”, thuhet në shkrim. Sipas informacioneve, qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë rënë dakord për të gjitha pikat. Por që gjithçka të zyrtarizohet, Meta duhet të kalojë paktin në Parlament. Marrëveshja është vendimtare për hapjen e negociatave dhe nuk është çudi që qeveria ta kalojë direkt në Kuvend paktin, pa pyetur kreun e shtetit.

Politike Greqia Ilir Meta Pakti detar