Sport26 Korrik 2018, 11:36

Atmosferë festive tek Tirana, trajneri Ze Maria feston 45-vjetorin

Shkruar nga Pamfleti
Atmosferë festive tek Tirana, trajneri Ze Maria feston 45-vjetorin

Atmosferë festive tek Tirana, trajneri Ze Maria feston 45-vjetorin

Ndeshja miqësore që u luajt dje në “Selman Stërmasi” mes Tiranës dhe Apolonisë përfundoi 2-0 në favorin e bardhebluve. Dy gola të shënuar nga afrimet e reja të 24-herë kampionëve, i pari nga maqedonasi Blazhevski me një gjysëm-kthesë fantasike pas krosimit të Kërçikut dhe goli i dytë nga shkodrani Edon Hasani që pas një goditje plot “klas” e çoi topin në trekëndësh. Ashtu si vitet e tjera, bardheblutë do ta nisin kampionatin si pretendentë por ndryshe nga herët e fundit, kjo Tiranë premton shumë.

Ganezi Cobbinah, edhe pse nuk arriti të shënonte, u duartrokit shumë herë nga publiku, që ishte i shumtë(rreth 1000 tifozë) dhe “kurioz” për të parë projektin e ashtuquajtur “Tirana Superiore”. Fitorja e ekipit më të titulluar në vend, ishte dhe “dhuratë” për teknikun Ze Maria, i cili dje festonte 45-vjetorin.

Pas ndeshjes, kur braziliani po jepte intervistën e zakonshme, lojtarët dhe stafi bardheblu i bënë një surprizë ditëlindjeje. Të “armatosur” me miell dhe me vezë, ekipi e “sulmoi” Ze Marian. Kjo situatë u shoqërua me të qeshura dhe kjo tregon që te Tirana situata është mjaft e mirë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Përtej shakave të çastit, Ze Maria u shpreh i kënaqur me ndjeshjen dhe duke shtuar se nuk kishin hyrë në fushë për të fituar por për të parë gjendjen e ekipit dhe për të vendosur më pas vendosjen e skemave gjatë kampionatit ku do të synohet titulli. Për sa i përket merkatos, Ze Maria theksoi se ekipit i duhet një qendërsulmues dhe ashtu edhe merkatoja do të quhej e mbyllur. Tirana ka në agjendë edhe dy miqësore të tjera, me dy ekipet e Prishtinës. E para luhet më 29 korrik ndaj Flamurtarit të Prishtinës ndërsa e dyta më 5 gusht, një miqësore “luksi” ndaj Prishtinës së Mirel Josës.

Sport