Anti-Mafia24 Maj 2022, 12:36

ATP çerdhe korrupsioni dhe abuzimi, drejtoresha Jonida Baçi përfundon në SPAK; si grabiste pronat e qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti
ATP çerdhe korrupsioni dhe abuzimi, drejtoresha Jonida Baçi

Agjencia e Trajtimit të pronave është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe abuzimi me pronat e qytetarëve. Prej 30 vitesh pronarë dhe ish-pronarë luftojnë për të marrë pronat e tyre, por ata që duhet ta bëjnë këtë proces, tjetërsojnë pronat e trashëguara brez pas brezi.

Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka zbuluar një skemë të gjerë abuzimi në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe ka dorëzuar një dosje voluminoze në SPAK. Në krye të zyrtarëve të kallëzuar është drejtoresha Jonida Baçi, e cila po ashtu është shkarkuar nga detyra.

Ka qenë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ai i cili përmes një konference për mediat ka zbardhur skemën që ndiqej nga Baçi dhe vartësit e saj për të grabitur pronat e qytetarëve.

Skema 1

Sipas Manjës, ish-pronarët që disponojnë dokumentet e kompesimit fizik të pronës, nuk kanë mundur të marrin kompensimin dhe janë detyruar që t’i shesin te të afërm të punonjësve të ATP.

Ish pronarët që disponojnë vendimet e kthimit të pronave për kompensim financiar dhe fizik, në kushtet kur nuk kanë marrë asgjë, i kanë shitur vendimet e tyre te sekserë dhe ndërmjetës të pronave të cilët sapo i kanë marrë këto të drejta reale të pronave të ish pronarëve, menjëherë kanë aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe janë kompensuar financiarisht 100%  dhe por janë kompensuar edhe me sipërfaqe tokash në vendet më të turistike të Shqipërisë, me përparësi të agroturizmit dhe turizmit malor. E më pas pasi i kanë marrë këto prona kanë vijuar me transaksionet mbi pronat duke i kaluar në pronësi të familjarëve dhe zyrtarëve të kësaj agjencie”, tha ai.

Skema 2

Ministri tregoi dhe skemën tjetër të ndjekur për grabitjen e pronave ku ka ndërtime të legalizuar. “Skema tjetër ka të bëjë me abuzimet në rastin e kompensimit financiar të ish pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë me ndërtime të legalizuara. Çdo ish pronar, prona e të cilit është zënë me një pronë të legalizuar, kompensohet financiarisht. Ish pronarët pasi marrin një vlerësim në Kadastër, depozitojnë kërkesën për tu kompensuar financiarisht. Sipas praktikës që vetë Agjencia e ka vendosur si standard, skema ndjek rendin kronologjik të vendimeve: pra vendimi i parë likujdohet më përpara. Por ka ish pronarë që presin 1-5 vjet për të marrë vlera qesharake për të marrë kompensim, ndërkohë që në anën tjetër kemi ish pronarë që nga 1-17 ditë janë kompensuar deri në 500 milionë lekë. Kjo na bën të besojmë se ka abuzime”, tha ai.

Në aferë është dhe një zyrtar tjetër i përfshirë, ndërsa Manja u shpreh se tashmë dosja është në SPAK dhe i takon kësaj strukture të zhvillojë hetime. Ai deklaroi se çështja e pronave është një dosje mjaft e nxehtë, por shtoi se nuk u druhet presioneve dhe shantazheve.

Anti-Mafia abuzim manja prona