
Gazetari Artan Hoxha është thirrur në Drejtorin e Policisë së Tiranës, pas publikimit të audio-përgjimit për “21 Janarin”.
Në atë audio-përgjim kreu i Gardës Ndrea Prendi jep urdhër që gardistëve të jenë gati për të vrarë. Ndërkohë prokuroria më herët njoftoi se do të nisë verifikimet dhe Hoxha është thirrur në polici për të dhënë sqarime mbi këtë audio-përgjim të publikuar prej tij. Policia e Tiranës dhe prokuroria prej vitit 2021 janë duke bashkëpunuar për zbardhjen e vrasjes së Aleks Nikës.
Hoxha dha dhe një prononcim për mediat, duke deklaruar se Rama dhe Berisha nuk e duan zbardhjen e “21 Janarit”. Sipas tij, pas 12 vitesh, fëmijët e 4 viktimave duan të dinë se kush qëlloi ndaj Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Alsk Nikës.
“Rama e Berisha duhet tu japin përgjigje vajzave të atyre katër personave që u vranë. Kush e vrau Akeks Nikën? Kush e vrau Hekuran Dedën? Kjo është ajo që duhet zbuluar. Për fat të mirë kemi një autor për vrasjen e Veizit. Nuk ka rëndësi se cili kryeministër e jep përgjigjen, i sotmi apo i djeshmi, të dy bashkë duhet të japin një përgjigje“, tha Hoxha.
Më tej ai sqaroi se thirrja i ka ardhur nga Prokuroria e Tiranës, por hetimet po bëhen nga policia gjyqësore dhe për këtë arsye ai është paraqitur në Drejtorin e Policisë.
“Unë i jam përgjigjur thirrjes që ka bërë prokuroria që po heton. Me sa pashë detyra i është lënë policisë gjyqësore. Duke ndjekur fjalën e avokatit Maks Haxhia për tu veshur trashë në kohë dimri këtu, unë jam veshur me triko leshi, pallto, jam i përgatitur për të qëndruar gjatë. Çfarë ka qenë për tu bërë publike është bërë nga unë, tani mbetet në dorën e hetimit, janë ata që e vlerësojnë nëse është një provë, nëse mund të jetë një element që ndihmon grupin e hetimit për zbardhjen e 21 janarit. Sot është fakt se edhe 12 vite mbrapa kemi 2 të vrarë në bulevard, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën që janë ekzekutuar dhe janë pa autorë. Sot ish kryeministri i kohës duhet të japë përgjigje, ai vazhdon me variantin e vjetër, që ka dalë një Carlo Gambino prapa, që garda ka zbatuar ligjin e armëve, por mua me rezulton se Garda ka ekzekutuar me urdhër qytetarë të pafajshëm. Ka vrarë qytetarë. Për sa kohë këto vrasje janë pa autorë, duhet të kemi përgjigje”, tha ai.