
Aventura e Fernando Santos te Portugalia drejt fundit, Murinjo do të drejtojë Romën dhe Portugalinë
Aventura e Fernando Santosit te Portugalia ka mbërritur në fund. Trajneri që drejton luzitanët që nga viti 2014, kur zëvendësoi Paolo Benton, pritet të bëhet tekniku i radhës që do t’i japë lamtumirën bashkëpunimit me Federatën Portugeze. Zyrtarizimi nuk ka ardhur ende, por për gazetën portugeze “A Bola” gjithçka është vendosur dhe në ditët në vijim federata do të dalë me një komunikatë zyrtare për trajnerin.
Që pas eliminimit të Portugalisë nga kampionati botëror prej Marokut, mediat portugeze kanë qenë të ashpra me trajnerin Fernando Santos, duke e fajësuar atë si shkaktarin kryesor të eliminimit.
Në një sondazh “online” të hedhur nga gazeta “A Bola”, mbi 80% e portugezëve fajësonin Santosin për dështimin në Katar.
Kjo ka shtyrë dhe federatën të marrë vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet me trajnerin që i shpalli kampion Europe në vitin 2016, teksa dy vjet më vonë do të fitonte dhe Ligën e Kombeve.
Murinjo i dëshiruari – E ndërsa pritet zyrtarizimi i shkarkimit të Fernando Santos, në Portugali janë vënë në lëvizje në kërkim të pasuesit të mundshëm të teknikut aktual.
Në Federatën Portugeze emri më i lakmuar dhe që kërkohet me çdo kusht është Zhoze Murinjo. Sipas mediave vendase, eksponentë të Federatës kanë tentuar të kontaktojnë me trajnerin aktual të Romës për të zëvendësuar Santos në vitin 2023.
Portugalia do të nisë fazën e kualifikueseve të Kampionatit Europian më 23 mars me takimin përballë Lihtenshtejnit dhe dëshiron që deri atëherë të ketë emëruar trajnerin e ri.
Ata duan që Murinjo të jetë në stolin e skuadrës, për t’i dhënë mundësi atij të gjejë elementët e duhur për të rindërtuar skuadrën.
Ngërçi me Romën – Por për të arritur deri te Murinjo nuk do të jetë dhe aq e lehtë për luzitanët. Kjo pasi Roma vështirë se do të tërhiqet lehtë kur vjen puna për Zhozenë.
Në federatën portugeze e kanë të qartë se Murinjo është plotësisht i përkushtuar ndaj Romës, ndaj janë gati të bëjnë kompromis me verdhekuqtë, mjafton që të kenë në stol trajnerin luzitan.
Ideja e Federatës Portugeze është fare e qartë: Ata do të ishin të gatshëm të pranonin të lejonin Murinjon të drejtonte paralelisht si Romën ashtu dhe kombëtaren e Portugalisë!
Për këtë ata do të duhet të bindin Romën për këtë propozim. Nuk do të jetë e lehtë, por në Portugali e duan me çdo kusht Murinjon.