
Ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, në Tiranë, përgjigja e laboratorit anglez në lidhje me ekspertizën e audiopërgjimit të publikuar nga Partia Demokratike midis Albert Veliut, i njohur me pseudonimin Babalja dhe vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.
Burime për Ora News kanë bërë me dije se sipas përgjigjes së mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, materiali i dërguar nuk është origjinali që pretendohet se është regjistruar në Vlorë, madje dhe regjistrimi nuk është i plotë. Për këtë arsye ekspertët në konkluzion rezervohen për të folur me 100 për qind në lidhje me origjinalitetin e regjistrimit.
Burime nga hetimi thanë se ekspertët e huaj kanë konstatuar se në bisedën e transmetuar ka shkëputje dhe ndërhyrje të zërave. Gjithashtu ekspertët janë shprehur me përqindje edhe mbi kërkesën për përputhshmërinë mes zërit të Agron Xhafajt dhe atij që është në përgjim. Përgjigja e ekspertizës ndodhet ende në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ende nuk ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi gjithë materiali është ende duke u përkthyer nga gjuha angleze.
Krahas përgjigjes së mbërritur nga ekspertët e huaj organi i akuzës ka marrë edhe rezultatet e qelizave telefonike te personave të përfshirë përgjim, vendet ku janë ndodhur në momentet kur janë bërë bisedat dhe më pas hetuesit kanë bërë edhe kryqëzimin e këtyre të dhënave.Pas nje analize të të gjitha fakteve pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të marrë vendimin për ecurinë e çështjes.
Madje mësohet se për këtë dosje mund të ketë dhe të ndaluar pas shqyrtimit të plotë të saj. Audiopërgjimi i cili tronditi politikën u publikua nga Partia Demokratike disa muaj më parë. Sipas PD-së, rasti ishte nje investigim i gazetarit Jetmir Olldashi i cili kishte hetuar trafikun e drogës duke përdorur si bashkëpunëtor Albert Veliun, i njohur ndryshe në Vlorë edhe me emrin Babale. Sipas Olldashit, ai kishte degjiuar se vëllai i Ministrit të Brendshëm kishte lidhje me trafikun e drogës dhe për të provuar këtë kishte infiltruar Albert Veliun, i cili kishte patur më parë njohje me Agron (Geron) Xhafën.Ai ka pretenduar se biseda është bërë në lokalin e Agron Xhafajt në Vlorë, ku ky i fundit kishte pranuar të ndihmonte Babalen për një ngarkesë kanabisi drejt Italisë.E gjithe biseda është kundërshtuar menjeherë nga vëllai i Ministrit të Brendshëm, i cili ka mohuar të ketë qenë ai në bisedë. Agron Xhafaj bëri një kallzim në Prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që menjëherë u vetëdorëzua në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë atje ndaj tij.