Aktualitet 4 Qershor 2022, 16:06

Babo, mes falenderimit dhe mërzisë për presidentin e ri!

Shkruar nga Pamfleti
Babo, mes falenderimit dhe mërzisë për presidentin e ri!

Babo, mes falenderimit dhe mërzisë për presidentin e ri!

Mjekrën kroi Babo. Heshtja ra kudo si muzg. Nuk pipëtinte as zog as sorrë. Damo desh të kollitej por e kapërdiu duke u skuqur deri tek qerpikët si barbun. Nuk thyhej ajo qetësi historike. Teksa frymëmarrja pezull rrinte Babo vendosi të fliste me fjalë që në ndërgjegjen e Kryesisë skaliteshin si urdhëresat e Moisiut në gurë! Ai tha “e kam ëndërruar ketë ditë. Populli mendon si unë, Partia mendon si unë, Kryesia po. Ju e kishit kuptuar që unë doja Barjamin dhe unë po kaq që ju atë donit. Ky është uniteti, simbioza që armiqtë na e kanë zili. Çelsi i sukseseve tona. Erdhi dita që Pandi, Fatmiri, Braçe , Mimi , Ditmiri të mendojnë si unë dhe Bora.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

Sot qe një ditë e hareshme për grupin socialist. Pas javësh plot mundime që i tregohen natës së varrit, kaluan orë të qeta ku gjumi ishte gjumë shelegu e gërhima -gërhimë çlodhjeje. Ëndrra me mirazhe  panë sikur Babo i kishte ftuar të gjithë në Surrel dhe me dorën e vet u mbushte gotat e u gatuante! Secilit i thoshte: ha merr, nginju, mos kurse.

U  zgjuan në mëngjes pak të muavitur nga përqafimi me jastëkun po secili prej tyre ndihej i dëlirte e i lehtë si flutur.

Pak uri  i cimbiste dhe therje në mide. Dy feta bukë pak djathë e një gotë qumësht u ra butë ndërsa kafeja edhe më jua qetoi trazimin.

Ditë e ditë që kërkonin, lypnin dhe gjenin emra për President, bam e-mail e bam me zarfe. Lodhja e preokupimi sepse Babo gjithçka  kishte lënë në dorën e tyre kishte bërë te veten! Ai, ata pyet gjithmonë. Nuk jua prish kurrë. Ca ishin hequr. Ndonjë kishte prerje oreksi. Pagjumësi po e po.

Taos i kishin rënë rrathët poshtë syrit dhe mendimet në hermetizëm  ishin çimentuar.

Mbrëmë u mblodhën ashtu , jakë jakë, solemn e madhështore pasi nga pas oborrit të selisë së PS-së shkarkuan karrocat, zetoret, kuajt e gomeret me emrat e shumtë që kishin mbledhur.

Babo në fillim u mërzit tha kush i hap të gjitha megjithëse dy tre nga ministrat u vetëofruan për ta bërë atë punë !

Ta bëjmë me short tha hapim vetëm 100 ! U tha u bë se fjalë e Babos është ligj. Ajo thyen gur e koka armiqsh. Zemra mbush me hove e gëzim. Ambicie frymëzon si askush. Ganxhë hekuri është ajo për karriera të gjatë. Lum kush e kupton , lum kush i beson, lum kush e zbaton. U hap e para ! Barjami thanë një zëri! U hap e dyta e treta e njëzeta, prapë Barjami deri tek e njëqinda kudo Barjami. Në sallë ra heshtja. Merrni kuturu tha Babo edhe 10 të tjera ! U hapen edhe ato përsëri doli Barjami.

Mjekrën kroi Babo. Heshtja ra kudo si muzg. Nuk pipëtinte as zog as sorrë. Damo desh të kollitej por e kapërdiu duke u skuqur deri tek qerpikët si barbun. Nuk thyhej ajo qetësi historike. Teksa frymëmarrja pezull rrinte Babo vendosi të fliste me fjalë që në ndërgjegjen e Kryesisë skaliteshin si urdhëresat e Moisiut në gurë! Ai tha “e kam ëndërruar ketë ditë. Populli mendon si unë, Partia mendon si unë, Kryesia po. Ju e kishit kuptuar që unë doja Barjamin dhe unë po kaq që ju atë donit. Ky është uniteti, simbioza që armiqtë na e kanë zili. Çelsi i sukseseve tona. Erdhi dita që Pandi, Fatmiri, Braçe , Mimi , Ditmiri të mendojnë si unë dhe Bora.

Të keqin të na marrin hasmit. Sonte vazhdoi do e thërras Bajramin e Republikës në zyrë , ti japë ca këshilla e ta shohë mbarë vegjëlia kush i darovit këto punë”! U tha u bë. Njerëzia gjet paqen e mbrothësinë. Bajrami vajti, urtë e butë ngarkuar me mirënjohje. Nga dje Babo është bërë edhe guide shpirtërore si Ajatollah Komeini i cili është mbi Presidentin. Ndaj sot mbledhja që një formalitet dashurie e mirënjohje. Babo u dha dorën. Ndonjërit i rrahu shpatullat. Me Nikon , Olten dhe Mimin u ndal në mënyrë veçantë, “ju rritet një gjeneral dhe i dhatë vendit një President mbi palët, mirënjohja ime nuk do tu braktisë” ! Mimi psherëtiu eh Bajro Bajro i vogël mu duke i madh me dole. Babo la me butësi, por pa ekivok  porosinë “të gjithë në rresht sonte për votimin se përndryshe e dini vetë ju more firauner se sa ç’është e pamatë dashuria ime që shpon malet, epokat po kaq zemërimi”!

Deputet e jugut miratuan me kokë, Baçi do bënte se s’bën . Ua tha Klotilda qyqja si ore nuk do ta votojmë Bomin. Ata të Vlorës o Babo , quaje të bërë Barjamin. Por njerëzit e keqijn që mos bëfshin hajër fusin gurë në rrota. Presidenti në largim Meta iku në Stamboll dhe nuk dëgjon të kthehet. Kushtetuta e do pa grada. Babo është zymtuar përsëri. Nuk pipëtin as miza. Ai kishte porositur që vigjilenca ndaj armikut të brendshëm asnjë çast të mos binte por këta e kishin nënvleftësuar ” kaçakun”. Ai  të paktën deri tani ka marrë me vete çelësin e Kushtetutës dhe ju thotë na hipni këtu e shihni Stambollin more edepsëze dhe ju nxjerr gjuhen.  Babo këtë mërzi nuk e kishte parashikuar. Por ai ashtu siç drejtoi barkën e Turit mes tallazeve do ta nxjerrë sonte Bajramin në breg. Grupi shyqyr që bëri mëngjes të mire se sot s’ka më buk as ujë. Kujt i hahet e kujt i pihet kur Babo është i zymtuar xhanëm?!!

Forum agron gjekmarkaj