Aktualitet 3 Qershor 2022, 20:47

Bajram Begaj 10 ditë më parë ishte në Pentagon, çfarë deklaronte për raportet me amerikanët

Shkruar nga Pamfleti
Bajram Begaj 10 ditë më parë ishte në Pentagon,

Vendimi Kryesisë së PS për të propozuar Bajram Begajn për postin e presidentit ka kapur në befasi shumë persona. Kishte shumë emra që përfliteshin, por socialistët vendosën që pasuesi i Metës të ishte një mjek-ushtarak.

Por përtej vendimit të Kryesisë, duket se Begaj është një figurë e mbështetur nga Uashingtoni. 10 ditë më parë ai ishte në Pentagon dhe pati një sërë takimesh të rëndësishme atje. Ai dha dhe një intervistë për Zërin e Amerikës mbi këtë vizitë.

Bajram Begaj: Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë intervistë dhe gjithashtu është kënaqësi të takoj kryetarin e shefave të shtabit të Amerikës, gjeneral Milley-n. Temat e diskutimit ishin të gjithanshme. Kishin lidhje me bashkëpunimin midis dy vendeve tona, kishin lidhje me situatën në Ukrainë dhe me të ardhmen e bashkëpunimit tonë. Me gjeneral Milley-n biseduam për kontributin e dhënë nga shteti amerikan për forcat e armatosura shqiptare dhe historia e bashkëpunimit është 30 vjeçare. Ne jemi në javën amerikane të bashkëpunimit dhe 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë. Mendoj që bashkëpunimi në fushën ushtarake ka qenë mëse i shkëlqyer. Shtetet e Bashkuara na kanë ndihmuar në modernizimin dhe në ristrukturimin e forcave të armatosura. Programet e modernizimit, të cilat kanë qenë në bashkëpunim me Zyrën Amerikane të Bashkëpunimit janë në vazhdim e sipër. Përveç kontributit në rritjen e fuqisë mbrojtëse të vendit me paisje të reja, kemi edhe kontribut me trajnime të ndryshme, me mirëmbajtjen e paisjeve dhe me stërvitje të ndryshme. Gjatë vitit të kaluar ne ishim mikpritës të stërvitjes Defender-21, e cila ishte një histori suksesi në lidhje me bashkëpunimin ushtarak. Me këtë stërvitje jo vetëm që patëm prezent ushtrinë amerikane në tokën tonë, por u testua edhe roli gjeostrategjik dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, po ashtu u testuan edhe kapicitetet kombëtare, qoftë ushtarake, qoftë civile në drejtim të përdorimit të kësaj infrastrukture në drejtim ushtarak.

Tirana #Begaj SHBA